Bota

OKB dënon fuqishëm shënjestrimin e civilëve dhe gazetarëve nga Izraeli në Gaza

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dënoi fuqishëm vrasjen e civilëve dhe gazetarëve në sulmet e Izraelit që shënjestruan spitalin "Nasser" në Rripin e Gazës

Islam Doğru  | 25.08.2025 - Përdıtësım : 25.08.2025
OKB dënon fuqishëm shënjestrimin e civilëve dhe gazetarëve nga Izraeli në Gaza

New York/OKB

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dënoi fuqishëm vrasjen e civilëve dhe gazetarëve në sulmet e Izraelit që shënjestruan spitalin "Nasser" në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric tha në konferencën për media se "Sekretari i Përgjithshëm dënon fuqishëm vrasjen e palestinezëve në sulmet e Izraelit që shënjestruan sot spitalin 'Nasser' në Khan Younis. Midis të vrarëve nuk ka vetëm civilë, por edhe personel mjekësor dhe gazetarë".

Dujarric tha se këto vrasje të fundit të tmerrshme nxjerrin në pah rreziqet ekstreme me të cilat përballen personeli mjekësor dhe gazetarët gjatë kryerjes së detyrave të tyre jetësore në mes të konfliktit. "Sekretari i Përgjithshëm na kujton se civilët, përfshirë personelin mjekësor dhe gazetarët, duhet të respektohen dhe mbrohen gjithmonë", shtoi ai.

Pasi përsëriti thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm për hetim të menjëhershëm dhe të paanshëm të këtyre vrasjeve, Dujarric tha: "Sekretari i Përgjithshëm përsërit thirrjen për armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, qasje të pakufizuar humanitare në të gjithë Rripin e Gazës dhe lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve".

- "Ata do të duhet të mbahen përgjegjës"

Kur u pyet nga një gazetar se çfarë synon të bëjë Guterres këtë herë lidhur me përgjegjësinë, lidhur me vrasjen e dhjetëra gazetarëve nga Izraeli në 22 muajt e fundit, Dujarric u përgjigj se Sekretari i Përgjithshëm nuk ka autoritetin për të nisur hetim ndërkombëtar.

"Por, ata do të duhet të mbahen përgjegjës. Ne duam që Izraeli të bashkëpunojë me mekanizmat e ndryshëm të krijuar nga institucione të ndryshme të OKB-së për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie", shtoi Dujarric.

Në pyetjen nëse mbështet apo jo Sekretari i Përgjithshëm Asamblenë e Përgjithshme që e autorizon atë të vendosë në mënyrë të pavarur një forcë mbrojtëse në Gaza, Dujarric tha "Guterres mbështet çdo iniciativë që do t'i japë fund konfliktit në Gaza, do të sigurojë shpërndarjen e ndihmës humanitare, do të lirojë të gjitha pengjet dhe do të ndihmojë në kthimin e Palestinës në zgjidhjen me dy shtete".

- Gazetarët e shënjestruar nga Izraeli

Pesë gazetarë janë midis të vrarëve në sulmin ajror që ushtria izraelite kreu sot ndaj spitalit "Nasser" në qytetin Khan Younis në Rripin e Gazës.

Në sulmin e fundit u vranë fotoreporteri i Agjencisë së Lajmeve Reuters, Hossam al-Masri; kameramani i televizionit Al Jazeera me bazë në Katar, Mohammed Salameh; gazetarja për media të ndryshme, përfshirë Independent Arabia dhe The Associated Press (AP), Maryam Abu Deqqa, gazetari i NBC News me bazë në SHBA, Moaz Abu Taha dhe gazetari Ahmed Abu Aziz.

Së fundmi gazetari Hasan Duhvan u vra si pasojë e sulmeve të ushtrisë izraelite në rajonin Al-Mawasi në qytetin Khan Younis.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.