OKB dënon ashpër sulmin e puçistit Haftar ndaj portit të Tripolit
UNSMIL dënon "fuqishëm" sulmet e djeshme ndaj portit të Tripolit nga milicët e Khalifa Haftarit, liderit të forcave jolegjitime në lindje të Libisë

Gjenevë
Misioni Mbështetës i OKB-së për Libinë (UNSMIL) dënon "fuqishëm" sulmet e djeshme ndaj portit të Tripolit nga milicët e Khalifa Haftarit, liderit të forcave jolegjitime në lindje të Libisë, raporton Anadolu Agency (AA).
UNSMIL bëri një deklaratë pas vendimit të marrë nga Këshilli presidencial i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të Libisë (GNA) me legjitimitet nga OKB-ja, i cili nëpërmjet një njoftimi me shkrim pas sulmeve të djeshme ndaj portit të Tripolit nga forcat e Haftarit, bëri të ditur pezullimin për pjesëmarrjen në takimin e Komitetit ushtarak që ishte planifikuar të mbahej në formatin 5+5 në Gjenevë të Zvicrës.
Në deklaratë është shprehur dëshira për rifillimin e takimeve në formatin 5+5 dhe është treguar një reagim i ashpër kundër sulmit ndaj portit të Tripolit të ndërmarrë dje nga Ushtria Kombëtare e Libisë e lidhur me puçistin Haftar.
"Sulmi ka rezultuar me një sërë dëmesh dhe goditja e një anijeje që transportonte gaz të lëngshëm mund të shkaktonte një fatkeqësi të madhe. E dënojmë përsëri dhe në mënyrën më të ashpër bombardimin e portit të Tripolit dje nga Ushtria Kombëtare e Libisë", qëndron në deklaratë.
Më tej thuhet se UNSMIL ka vënë në dukje se duhet të marrin fund tensionet dhe aktet nxitëse kryesisht në rajonin e konfliktit ndërsa të gjitha palëve u është bërë thirrje për fillimin e dialogut për të përfunduar krizën në Libi.
Zëdhënësi i UNSMIL, Jean El Alam në një deklaratë për AA tha: "Konfirmoj se delegacioni i GNA-së ka pezulluar pjesëmarrjen në takimet (e Komitetit ushtarak në formatin 5+5)".
Ai theksoi se nuk ka bërë ndonjë koment lidhur me fatin e bisedimeve në Gjenevë.
- GNA pezullon pjesëmarrjen në takimet e Komitetit ushtarak në Gjenevë
Në një deklaratë GNA njoftoi se "Pjesëmarrja në takimet e Komitetit ushtarak në Gjenevë është pezulluar deri në marrjen e një qëndrimi të vendosur kundër sulmuesve (milicëve të Haftarit) dhe kundër shkeljeve të tyre".
Raundi i parë i takimit në formatin 5+5 filloi më 3 shkurt dhe përfundoi më 8 shkurt në Gjenevë të Zvicrës me pjesëmarrjen e 5 anëtarëve nga qeveria e GNA-së dhe 5 nga Ushtria Kombëtare e Libisë që është grupi i armatosur i lidhur me Haftarin.
Milicët e Haftarit dje pasdite kryen dy sulme të ndryshme me raketa ndaj portit të Tripolit, ku si pasojë humbën jetën 3 civilë ndërsa 5 të tjerë u plagosën.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.