Bota

OKB: Bombardimet e Izraelit vazhdojnë të zhvendosin familje të tëra nga Gaza

"Bombardimet e vazhdueshme dhe urdhrat e zhvendosjes po detyrojnë familje të tëra të braktisin shtëpitë e tyre, për shkak të frikës dhe shkatërrimit", tha UNRWA në një deklaratë

Betül Yılmaz  | 28.08.2025 - Përdıtësım : 28.08.2025
OKB: Bombardimet e Izraelit vazhdojnë të zhvendosin familje të tëra nga Gaza

Stamboll

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) tha sot se sulmet izraelite vazhdojnë të zhvendosin disa familje në Rripin e Gazës për shkak të urisë së përhapur në enklavë, transmeton Anadolu.

"Bombardimet e vazhdueshme dhe urdhrat e zhvendosjes po detyrojnë familje të tëra të braktisin shtëpitë e tyre, për shkak të frikës dhe shkatërrimit", tha UNRWA në një deklaratë në llogarinë e mediave sociale të kompaninë amerikane X.

Sipas Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), më shumë se 36 mijë njerëz janë zhvendosur në të gjithë Rripin e Gazës që nga 14 gushti, pasi ushtria izraelite nisi sulme të intensifikuara ushtarake në qytetin e Gazës në kuadër të planit për pushtim.

Më 8 gusht, Kabineti i Izraelit miratoi një plan të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të ripushtuar gradualisht Rripin e Gazës, duke filluar me qytetin e Gazës. Plani përfshin zhvendosjen e afërsisht një milion palestinezëve në jug, duke rrethuar qytetin dhe duke e pushtuar atë pas sulmeve intensive.

Agjencia tha se një punonjës i UNRWA-së tha se është zhvendosur 19 herë që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në tetor 2023. "Njerëzit janë të uritur dhe të rraskapitur. Kjo duhet të ndalet", tha UNRWA, duke bërë thirrje për armëpushim urgjent.

Izraeli ka vrarë gati 63 mijë palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me zi buke.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın