OKB: 580 palestinezë të vrarë në Gaza që nga 17 qershori duke u përpjekur të siguronin ndihma humanitare
- Nënsekretari i OKB-së për Lindjen e Mesme, Azinë dhe Paqësorin i bëri thirrje Izraelit të përmbushë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar dhe të lejojë kalimin e shpejtë dhe të papenguar të ndihmës humanitare për civilët në nevojë.

New York
NEW YORK (AA) – Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) raportoi se të paktën 580 palestinezë janë vrarë që nga 17 qershori në përpjekje për të arritur deri te ndihmat e Fondacionit të Ndihmës Humanitare në Gaza të udhëhequra nga SHBA-ja dhe Izraeli ose te konvojet e ndihmave, raporton Anadolu.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskutoi zhvillimet në Gaza.
Duke informuar shtetet anëtare, Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Lindjen e Mesme, Azinë dhe Paqësorin, Khaled Khiari, tha se Izraeli nuk ka lejuar asnjë ndihmë humanitare ose komerciale të hyjë në Gaza për afërsisht 80 ditë. Khiari theksoi se ndihma e kufizuar ka filluar të arrijë në rajon ditët e fundit, por se kjo ndihmë është larg përmbushjes së nevojave serioze humanitare të popullit të Gazës.
Khiari i bëri thirrje Izraelit të përmbushë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar dhe të lejojë kalimin e shpejtë dhe të papenguar të ndihmës humanitare për civilët në nevojë.
Ai njoftoi se të paktën 580 palestinezë janë vrarë që nga 17 qershori ndërsa po përpiqeshin të arrinin te Fondacioni i Ndihmës Humanitare në Gaza, i udhëhequr nga Izraeli dhe SHBA-ja, ose te konvojet e ndihmave.
“Ne dënojmë fuqimisht vdekjet dhe plagosjet e palestinezëve që përpiqen të marrin ndihmë në Gaza. Duhet të nisë një hetim i menjëhershëm dhe i pavarur për këto incidente dhe ata që janë fajtorë duhet të mbahen përgjegjës”, tha Khiari.
Ai përsëriti se OKB-ja nuk do të marrë pjesë në “asnjë metodë të shpërndarjes së ndihmës që nuk përputhet me parimet themelore humanitare, siç janë humanizmi, paanshmëria, pavarësia dhe mosdiskriminimi”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.