OKB: 1.857 palestinezë të vrarë në më pak se 3 muaj në Gaza teksa kërkonin ushqim
Paralajmërohet se "rreziku i urisë është kudo në Gaza", duke u përshkruar si "një rezultat i drejtpërdrejtë të politikës së qeverisë izraelite për bllokimin e ndihmës humanitare"

Gjenevë
Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha se mbi 1.850 palestinezë janë vrarë ndërsa përpiqeshin të merrnin ushqim në Gaza në më pak se tre muaj, duke paralajmëruar se kushtet humanitare po përkeqësohen, transmeton Anadolu.
"Arritja e furnizimeve të pakta në dispozicion mund të jetë një ndjekje vdekjeprurëse", tha zëdhënësi Thameen Al-Kheetan për gazetarët në Gjenevë, duke theksuar se midis 27 majit dhe 17 gushtit, zyra e të drejtave të njeriut dokumentoi se 1.857 palestinezë u vranë ndërsa kërkonin ushqim.
"Përfshirë 1.021 të vrarë në afërsi të vendeve të Fondacionit Humanitar të Gazës dhe 836 të vrarë në rrugët e kamionëve të furnizimit. Shumica e këtyre vrasjeve shihet se janë kryer nga ushtria izraelite", tha Al-Kheetan.
Paralajmërohet se "rreziku i urisë është kudo në Gaza", duke u përshkruar si "një rezultat i drejtpërdrejtë të politikës së qeverisë izraelite për bllokimin e ndihmës humanitare".
"Në javët e fundit, autoritetet izraelite kanë lejuar që ndihma të hyjë vetëm në sasi që mbeten shumë më poshtë se sa do të kërkohej për të shmangur urinë e përhapur", tha ai.
Zëdhënësi gjithashtu theksoi se qindra mijëra palestinezë, të zhvendosur në zonën Al-Mawasi në perëndim të qytetit Khan Younis në Gazën jugore, kanë pak ose aspak qasje në shërbimet dhe furnizimet thelbësore, duke përfshirë ushqimin, ujin, energjinë elektrike dhe tenda.
Ai shtoi se ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet e saj në veri të Rripit, ndërsa urdhrat e zhvendosjes vazhdojnë edhe në zonat ku janë regjistruar sulme.
Al-Kheetan gjithashtu kujtoi vërejtjet e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, i cili paralajmëroi kundër planeve për një pushtim ushtarak të Qytetit të Gazës, duke thënë se një veprim i tillë "duhet të ndalet menjëherë".
Izraeli ka vrarë më shumë se 62.000 palestinezë në Gaza që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me uri.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.