OBSH: Viti 2025 një vit me 'kontraste të forta', pasi marrëveshjet shëndetësore u përballën me shkurtime fondesh
"Rritjet e kontributeve të vlerësuara janë çelësi për sigurimin e pavarësisë dhe qëndrueshmërisë së organizatës", tha Tedros Adhanom Ghebreyesus
Gjenevë
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) e përshkroi vitin 2025 si një vit me "kontraste të forta" për agjencinë shëndetësore të OKB-së, të shënuar nga arritje të mëdha globale në shëndetësi, së bashku me presionin e thellë financiar që detyroi shkurtime të stafit, transmeton Anadolu.
Duke folur në sesionin e 158-të të Bordit Ekzekutiv në Gjenevë, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se viti ishte një "pikë referimi" për OBSH-në, duke përmendur miratimin e Marrëveshjes së Pandemisë, hyrjen në fuqi të Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit të ndryshuara, miratimin e një rritjeje të kontributeve të vlerësuara dhe një deklaratë ambicioze politike të OKB-së mbi sëmundjet jo-ngjitëse dhe shëndetin mendor.
Në të njëjtën kohë, tha ai, viti 2025 ishte "një nga vitet më të vështira në historinë e Organizatës sonë", pasi "shkurtimet e konsiderueshme në financimin tonë nuk na lanë zgjidhje tjetër përveçse të zvogëlonim madhësinë e fuqisë punëtore".
Tedros vuri në dukje se sfidat e OBSH-së ishin pjesë e një krize më të gjerë që prekte organizatat ndërkombëtare, me "shkurtime të papritura dhe të rënda të ndihmës dypalëshe" që prishën sistemet shëndetësore në shumë vende.
Ai kujtoi se OBSH-ja filloi të adresonte varësinë e saj nga një grup i vogël donatorësh më shumë se tetë vjet më parë, duke përfshirë një plan të miratuar në vitin 2022 për të rritur kontributet e vlerësuara në 50 për qind të buxhetit bazë. Shtetet anëtare kanë miratuar tashmë disa rritje, me më shumë të planifikuara deri në vitin 2031.
Tedros tha se dështimi për të miratuar rritjet e kontributeve të vlerësuara do ta kishte lënë OBSH-në "në një situatë shumë më të keqe", duke argumentuar se reformat e vazhdueshme ishin thelbësore për të siguruar një organizatë të paanshme dhe të bazuar në shkencë.
"Historia e vitit 2025 nuk është një histori shtrëngimi, por vendosmërie", tha ai, duke shtuar: "Kjo është OBSH-ja juaj. Forca e saj është uniteti juaj. E ardhmja e saj është zgjedhja juaj".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
