Bota

OBSH-ja transporton 10 kamionë me ndihma mjekësore në Gaza

"E gjithë ndihma e OBSH-së do të transferohet në Gaza, së bashku me “tre kamionë me furnizime mjekësore nga partnerët e shëndetësisë", tha shefi i OBSH-së

Beyza Binnur Dönmez  | 30.07.2025 - Përdıtësım : 30.07.2025
OBSH-ja transporton 10 kamionë me ndihma mjekësore në Gaza

Gjenevë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka zhvendosur dhjetë kamionë të ngarkuar me furnizime thelbësore mjekësore në Gaza, njoftoi sot shefi i organizatës, transmeton Anadolu.

"OBSH-ja ka zhvendosur dhjetë kamionë nga Al-Arish në Egjipt në kalimin kufitar Kerem Shalom për në Gaza, duke transportuar ilaçe thelbësore, furnizime laboratorike dhe për testimin e ujit", postoi në X Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai tha se më shumë ndihma të tjera janë në rrugë e sipër, duke vënë në dukje se "dy kamionë shtesë me furnizime mjekësore, së bashku me 12 paleta me produkte gjaku, priten nesër".

E gjithë ndihma e OBSH-së do të transferohet në Gaza, së bashku me "tre kamionë me furnizime mjekësore nga partnerët e shëndetësisë", vuri në dukje Tedros.

"Nevojat shëndetësore në Gaza janë të jashtëzakonshme”, tha ai, duke nënvizuar se “një rrjedhë e vazhdueshme e furnizimeve mjekësore është kritike".

Tedros bëri thirrje edhe një herë për akses të papenguar humanitar dhe ndalimin e armiqësive: "Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për akses të qëndrueshëm, të sigurt dhe të papenguar për ndihmë mjekësore në dhe nëpër Gaza dhe për një armëpushim".

Izraeli ka vendosur një bllokadë ndaj Gazës prej 18 vitesh dhe, që nga 2 marsi, ka mbyllur të gjitha pikat e kalimit, duke bllokuar hyrjen e ndihmës humanitare dhe duke përkeqësuar kushtet për 2,4 milionë banorët e enklavës palestineze.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të paktën 154 persona kanë vdekur nga uria që nga tetori 2023, përfshirë 89 fëmijë.

Izraeli, duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka vrarë më shumë se 60 mijë palestinezë në Gaza që nga tetori 2023, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar një krizë të rëndë urie.

Të hënën, grupet izraelite për të drejtat e njeriut "B'Tselem" dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut - Izrael, e akuzuan Izraelin për kryerje të gjenocidit në Gaza, duke përmendur shkatërrimin sistematik të shoqërisë palestineze dhe rrënimin e qëllimshëm të sistemit shëndetësor në enklavë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın