Bota

OBSH-ja shpreh gatishmëri për të zgjeruar ndihmën shëndetësore në Gaza

"OBSH-ja është e gatshme të zgjerojë punën e saj për të përmbushur nevojat e tmerrshme shëndetësore të pacientëve në të gjithë Gazën dhe për të mbështetur rehabilitimin e sistemit të shkatërruar shëndetësor", tha shefi i OBSH-së

Beyza Binnur Dönmez  | 09.10.2025 - Përdıtësım : 09.10.2025
OBSH-ja shpreh gatishmëri për të zgjeruar ndihmën shëndetësore në Gaza

Gjenevë

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus ka përshëndetur njoftimin e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, duke theksuar se organi ndërkombëtar është i gatshëm të zgjerojë mbështetjen e saj në Gaza, transmeton Anadolu.

"Unë mirëpres njoftimin e presidentit amerikan Donald Trump në lidhje me armëpushimin në Gaza dhe lirimin e pengjeve. Është me të vërtetë një hap i madh drejt paqes së qëndrueshme si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët", tha Tedros në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Ai tha se shpreson që "të gjitha palët do ta respektojnë marrëveshjen", në mënyrë që vuajtjet e civilëve të marrin fund dhe pengjet të kthehen në shtëpi".

"OBSH-ja është e gatshme të zgjerojë punën e saj për të përmbushur nevojat e tmerrshme shëndetësore të pacientëve në të gjithë Gazën dhe për të mbështetur rehabilitimin e sistemit të shkatërruar shëndetësor", tha shefi i OBSH-së.

Komentet e tij vijnë pasi Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të një marrëveshjeje të propozuar nga SHBA-ja për Gazën.

Plani 20-pikësh, i njoftuar për herë të parë më 29 shtator, përfshin lirimin e të gjitha pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, një armëpushim, çarmatimin e Hamasit dhe rindërtimin e Gazës.

Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 67.200 palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë kthyer Gazën praktikisht në të pabanueshme, duke çuar në uri dhe përhapjen e sëmundjeve.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.