OBSH-ja dënon vrasjen e pacientëve dhe civilëve në El-Fasher të Sudanit
Drejtori i OBSH-së, Ghebreyesus dënoi vrasjen e pacientëve dhe civilëve gjatë dhunës në rritje në qytetin El-Fasher, në shtetin qendror të Darfurit të Veriut në Sudan
Gjenevë
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus dënoi vrasjen e pacientëve dhe civilëve gjatë dhunës në rritje në qytetin El-Fasher, në shtetin qendror të Darfurit të Veriut në perëndim të Sudanit, transmeton Anadolu.
"Dënojmë vrasjen e pacientëve dhe civilëve gjatë dhunës në rritje në El-Fasher. Përplasjet e vazhdueshme midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në Sudan duhet të ndalen urgjentisht", tha Ghebreyesus në një postim në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X.
Ai bëri thirrje për mbrojtjen e civilëve, punonjësve humanitarë dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor si dhe për shpërndarjen e sigurt, të shpejtë dhe të papenguar të ndihmës.
- Konfliktet në Sudan dhe shkeljet nga forcat e RSF-së
Sudani ka qenë skenë e përleshjeve të dhunshme midis ushtrisë dhe RSF-së që nga 15 prilli 2023.
El-Fasheri, qyteti më i madh në rajonin e Darfurit në perëndim të vendit, u vu kryesisht nën kontrollin e RSF-së pas luftimeve të ashpra.
Dhjetëra mijëra njerëz u larguan nga qyteti për shkak të luftimeve ndërsa në videot e shpërndara nga anëtarët e RSF-së janë paraqitur momente ku RSF-ja zhvendos me forcë civilët dhe vret e torturon shumë njerëz të paarmatosur.
