OBSH-ja bën thirrje për dërgesa gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të ushqimit dhe ilaçeve në Gaza
"Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për dërgesa në mënyrë më gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të sigurt të ushqimit dhe ilaçeve ndaj Gazës. Paqja është ilaçi më i mirë", tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Gjenevë
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, përsëriti thirrjen për dërgesa në mënyrë më gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të sigurt të ushqimit dhe ilaçeve në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Ai ndau një postim në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X në lidhje me situatën në Gaza, e cila ndodhet nën sulmet intensive të Izraelit dhe të cilën e ka çuar drejt urisë.
Ghebreyesus tha se OBSH-ja po shpërndan furnizime kritike ushqimore për të mbështetur foshnjat dhe pacientët në spitalin "Nasser" në Khan Younis, në jug të Gazës, në përgjigje të urisë që përjetohet në Gaza. Ai theksoi se këto furnizime janë jetike për të porsalindurit dhe pacientët që kanë nevojë për mbështetje ushqyese.
"Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për dërgesa në mënyrë më gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të sigurt të ushqimit dhe ilaçeve ndaj Gazës. Paqja është ilaçi më i mirë", tha Ghebreyesus.
- Sulmet e Izraelit kundër Rripit të Gazës
Pas armëpushimit në Rripin e Gazës që hyri në fuqi më 19 janar, ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të ashpra në mëngjesin e 18 marsit. Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 64.231 ndërsa numri i të plagosurve në 161.583.
Të paktën 11.699 palestinezë janë vrarë dhe 49.542 të tjerë janë plagosur në sulmet që ushtria izraelite ka kryer që nga 18 marsi e deri më tani, duke shkelur armëpushimin e arritur më 19 janar.
Është rritur në 2.356 numri i personave të vrarë dhe në 17.244 i të plagosurve që nga 27 maji në sulmet sistematike që shënjestrojnë palestinezët në të ashtuquajturat pika shpërndarjeje të ndihmave në Gaza, të drejtuara nga Izraeli dhe SHBA-ja.
Ushtria izraelite filloi të zbatojë planin e saj sulmues i cili do të zgjerojë dhe do ta bëjë të përhershëm pushtimin në Rripin e Gazës. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se do të pushtojë të gjithë Rripin e Gazës.