OBSH bën thirrje për lirimin e mjekëve të kapur në sulmin ndaj spitalit në Sudan
OBSH tha se ka marrë raporte se katër mjekë, një infermiere dhe një farmaciste u rrëmbyen pas sulmit të fundit ndaj Spitalit të Maternitetit Saudit, spitali i fundit i mbetur pjesërisht funksional në qytetin e prekur nga konflikti
Londër
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dënuar rrëmbimin e raportuar të disa punonjësve të shëndetësisë pas një sulmi ndaj një spitali materniteti në qytetin sudanez El-Fasher, transmeton Anadolu.
OBSH në rrjetet sociale tha se ka marrë raporte se katër mjekë, një infermiere dhe një farmaciste u rrëmbyen pas sulmit të fundit ndaj Spitalit të Maternitetit Saudit, spitali i fundit i mbetur pjesërisht funksional në qytetin e prekur nga konflikti.
“Pas sulmit të fundit ndaj Spitalit të Maternitetit Saudit në El-Fasher, Sudan, OBSH-ja mori raporte për rrëmbimin e katër mjekëve, një infermiereje dhe një farmacisteje”, tha OBSH.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri thirrje për “lirimin e tyre të menjëhershëm dhe pa kushte”, duke kërkuar respekt për neutralitetin e personelit mjekësor dhe mbrojtjen e pacientëve mes dhunës së vazhdueshme.
“Ne bëjmë thirrje për lirim të menjëhershëm dhe pa kushte të punonjësve të shëndetësisë, për mbrojtjen e personelit shëndetësor dhe pacientëve, si dhe për qasje humanitare për të ofruar ndihmë shëndetësore”, shkroi ai në platformën sociale të kompanisë amerikane X.
Reagimi vjen mes përleshjeve të ashpra në qytetin El-Fasher në Sudanin perëndimor midis Forcave të Armatosura të Sudanit dhe Forcave Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), të cilat së fundmi morën kontrollin e qytetit.
Dje, kryetari i Këshillit të Sovranitetit Kalimtar të Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan, konfirmoi se ushtria është tërhequr nga qyteti për të parandaluar “shkatërrimin dhe vrasjen sistematike” të mëtejshme të civilëve nga RSF-ja.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
