Nënpresidenti Vance konfirmon se SHBA-ja dhe Britania kanë "mosmarrëveshje" mbi politikën ndaj Gazës
“Nuk e di çfarë do të nënkuptonte realisht njohja e një shteti palestinez, duke pasur parasysh mungesën e një qeverie funksionale atje”, tha JD Vance

Londër
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ripohuan kundërshtimin e tyre ndaj njohjes së një shteti palestinez, duke e përgatitur terrenin për diskutime diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar, e cila së fundmi mori vendimin për ta njohur shtetësinë palestineze, transmeton Anadolu.
Gjatë një vizite në Britani, nënpresidenti amerikan JD Vance tha se çështja do të jetë pjesë e bisedimeve me Sekretarin e Jashtëm britanik David Lammy.
“Sigurisht, Mbretëria e Bashkuar do ta marrë vendimin e saj. Ne nuk kemi plane për të njohur një shtet palestinez”, tha Vance në “Chevening House” në Kent.
“Nuk e di çfarë do të nënkuptonte realisht njohja e një shteti palestinez, duke pasur parasysh mungesën e një qeverie funksionale atje. Dhe ajo që presidenti e ka bërë shumë të qartë është se ne kemi dy qëllime shumë të thjeshta për momentin në lidhje me situatën në Izrael dhe Gaza”, shtoi ai.
“Së pari, duam të sigurohemi që Hamasi të mos mund të sulmojë më civilë izraelitë të pafajshëm, dhe mendojmë se kjo duhet të arrihet përmes çrrënjosjes së Hamasit”, tha Vance.
Së dyti, shtoi ai, “presidenti është thellësisht i prekur nga pamjet e tmerrshme të krizës humanitare në Gaza. Kështu që duam të sigurohemi që ta zgjidhim atë problem”.
“Mendoj se të gjithë mund të punojmë për të gjetur një zgjidhje për këtë problem. Sigurisht, nuk është një problem i lehtë, përndryshe do të ishte zgjidhur tashmë, por ne ndajmë, mendoj, atë fokus dhe qëllim”, theksoi ai.
“Mund të kemi disa mospajtime rreth mënyrës se si ta arrijmë atë qëllim, dhe për këtë do të flasim sot”, shtoi nënpresidenti amerikan.
I pyetur nëse SHBA-ja ishte njoftuar paraprakisht për vendimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të urdhëruar okupimin e Qytetit të Gazës, Vance tha se nuk do të komentojë mbi “biseda private”.
Ai shtoi se pret që vetë Trump të flasë për këtë çështje përpara mediave.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.