Bota

Në SHBA shënohet përvjetori i tretë i tentimit për grusht shteti në Turqi

Ambasadori i Turqisë në Washington, Serdar Kılıç e përshkroi grusht shtetin si "një prej ditëve më të zeza" të historisë së Turqisë

Servet Günerigök  | 15.07.2019 - Përdıtësım : 16.07.2019
Në SHBA shënohet përvjetori i tretë i tentimit për grusht shteti në Turqi ( Safvan Allahverdi - Anadolu Agency )

Washington

Ambasada e Turqisë në SHBA ka shënuar përvjetorin e tretë të 15 korrikut, tentimit vdekjeprurës për grusht shteti të Organizatës Terroriste Fetullah (FETO), raporton Anadolu Agency (AA).

Ngjarja filloi me një minutë heshtje në nder të viktimave të grusht shtetit të dështuar të 15 korrikut, ndërsa më pas u intonua himni turk.

Në fjalimin e tij, ambasadori Serdar Kılıç e përshkroi grusht shtetin si "një prej ditëve më të zeza" të historisë së Turqisë.

"Ne kemi përjetuar ditë të zeza edhe më herët por në asnjërin prej tyre anëtarët e ushtrisë turke nuk kanë shtënë mbi bashkëkombasit e tyre me armët e blera nga qytetarët turq apo të bombardojnë Parlamentin e Republikës së Turqisë", tha ai.

Grusht shteti i dështuar, i orkestruar nga FETO dhe nga lideri i saj me seli në SHBA, Fetullah Gülen, martirizoi 251 persona dhe plagosi rreth 2.200 të tjerë.

Turqia thotë se grupi terrorist gjithashtu qëndron prapa fushatës së gjatë të përmbysjes së shtetit përmes infiltrimit në institucionet e Turqisë, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Ambasadori po ashtu kritikoi autoritetet amerikane për mosveprimin e tyre pas përpjekjes për grusht shteti.

"Çfarë po bëni me këtë organizatë që sulmoi Republikën e Turqisë dhe demokracinë? A nuk ka Turqia të drejtë deri në fund nëse pyet se a është një aleancë apo jo?", pyeti Kılıç.

Gülen nga viti 1999 jeton në shtetin Pennsylvania, në një ekzil të vetëshpallur.

Ankaraja kërkon që ai të ekstradohet për të marrë përgjegjësinë për rolin e tij në grusht shtetin e dështuar, duke dërguar qindra dosje të provave që e inkriminojnë atë dhe organizatën e tij.

Washingtoni ka hezituar të ekstradojë Gülenin, duke thënë se nuk ka prova të mjaftueshme, gjë që ka shkaktuar tension në marrëdhëniet veçse të brishta që nga viti 2016.

Në ngjarje u shfaqën edhe fotografitë e Anadolu Agency që përshkruajnë grusht shtetin e dështuar të 15 korrikut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.