Bota

Në Republikën Çeke ngrihet kallëzim penal kundër ushtarit izraelit për "gjenocid dhe krime lufte"

“Ky dorëzim, i kryer në Zyrën e Lartë të Prokurorisë Publike në Pragë, shënon kallëzimin e tretë penal të HRF në Çeki që lidhet me krimet e kryera në Gaza”, tha Fondacioni "Hind Rajab" (HRF)

Burak Bir  | 02.01.2026 - Përdıtësım : 02.01.2026
Në Republikën Çeke ngrihet kallëzim penal kundër ushtarit izraelit për "gjenocid dhe krime lufte"

Londër

Fondacioni “Hind Rajab” (HRF) tha të premten se ka paraqitur një kallëzim penal në Çeki kundër një ushtari izraelit të akuzuar për krime lufte dhe akte gjenocidi në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, HRF-ja bëri të ditur se kallëzimi është dorëzuar në Zyrën e Lartë të Prokurorisë Publike në Pragë kundër Hagay Monsonego, pjesëtar i ushtrisë izraelite.

Sipas fondacionit, kallëzimi u bë pas konfirmimit se Monsonego ndodhet aktualisht në Pragë, “një fakt që aktivizon detyrimet e Republikës Çeke sipas së drejtës ndërkombëtare dhe asaj vendase”.

“Ky dorëzim, i kryer në Zyrën e Lartë të Prokurorisë Publike në Pragë, shënon kallëzimin e tretë penal të HRF në Çeki që lidhet me krimet e kryera në Gaza”, thuhet në deklaratë.

“Me këtë dorëzim të tretë, HRF-ja nuk po teston më teorinë ligjore. Ajo po teston praktikën shtetërore”, thuhet tutje.

Kallëzimi e akuzon Monsonegon për “gjenocid, krime lufte dhe përndjekje të civilëve, të kryera gjatë fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza”.

Ky kallëzim pason një raport hetimor të HRF-së për Monsonegon, që dokumenton shërbimin e tij në Gaza si pjesë e Kompanisë “Mesayaat Shaked”, Batalioni 424 “Shaked”, Brigada Givati, duke e vendosur atë në kontekstin operacional të disa prej krimeve më serioze të kryera gjatë ofensivës.

Grupi tha se kallëzimi u dorëzua nga Jan Taubel, këshilltar ligjor i HRF-së në Çeki, duke përkthyer provat e HRF-së në akuza konkrete sipas ligjit penal çek.

Sipas hetimit të HRF-së, Monsonego është dislokuar në enklavën e rrethuar midis dhjetorit 2023 dhe nëntorit 2025, përfshirë edhe gjatë rrethimit dhe shkatërrimit të Kompleksit Mjekësor Al-Shifa.

Kallëzimi e lidh Monsonegon dhe njësinë e tij me operacione të ndërlidhura me një sulm ndaj një objekti mjekësor të mbrojtur, rrethimin e civilëve, pacientëve dhe stafit mjekësor, ndalime masive dhe keqtrajtim të civilëve palestinezë, si dhe praktika të lidhura me lidhjen e syve, kufizimin dhe poshtërimin gjatë arrestimit dhe transferimit.

Fondacioni “Hind Rajab”, i emëruar në nder të Hind Rajabit, një vajze pesëvjeçare palestineze e vrarë nga forcat izraelite në Gaza, synon të adresojë dhe sfidojë atë që e përshkruan si mosndëshkim të Izraelit për krime lufte dhe shkelje të të drejtave të njeriut në Palestinë.

Izraeli ka vrarë mbi 71.000 njerëz në Gaza që nga tetori 2023, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe e ka shkatërruar enklavën. Një armëpushim hyri në fuqi në tetor 2025, por shkeljet izraelite kanë vazhduar.

Izraeli po përballet me një çështje për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në Rripin e Gazës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.