Bota

Në prag të negociatave, Trump thotë se Irani u përpoq të rifillonte programin bërthamor

“Ata u përpoqën të ktheheshin në atë lokacion. As që arritën t’i afroheshin, kishte shkatërrim të plotë”, tha presidenti amerikan

Michael Gabriel Hernandez  | 05.02.2026 - Përdıtësım : 05.02.2026
Në prag të negociatave, Trump thotë se Irani u përpoq të rifillonte programin bërthamor

Washington

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Irani kishte tentuar të riniste programin e tij bërthamor pas sulmeve amerikane gjatë verës, transmeton Anadolu.

“Ata u përpoqën të ktheheshin në atë lokacion. As që arritën t’i afroheshin, kishte shkatërrim të plotë”, tha ai gjatë një interviste për NBC News. “Por po mendonin të fillonin një lokacion të ri në një pjesë tjetër të vendit. Ne e zbuluam këtë. U thashë: ‘Nëse e bëni këtë, do t’ju bëjmë gjëra shumë të këqija’”, shtoi ai.

Këto komente vijnë ndërsa Irani dhe SHBA-ja po përgatiten të takohen për bisedime mbi programin bërthamor të Teheranit të premten në kryeqytetin e Omanit, Maskat. Negociatat ishin vënë në dyshim më herët këtë javë, por një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi për Anadolu se ato do të zhvillohen.

Edhe Irani ka thënë se bisedimet do të vazhdojnë. Ministrin i Jashtëm Abbas Araghchi ka deklaruar se ato do të nisin të premten në mëngjes.

Mediumi amerikan Axios raportoi më herët se Washingtoni i ka bërë të ditur Teheranit se nuk do të pranojë kërkesa për ndryshimin e vendndodhjes apo formatit të bisedimeve të planifikuara për të premten.

“I thamë se është kjo ose asgjë dhe ata thanë: ‘Në rregull, atëherë asgjë’”, citoi mediumi një zyrtar amerikan të paidentifikuar.

Më herët, mediat iraniane kishin raportuar se Irani dhe SHBA-ja pritet të mbajnë negociata indirekte të premten në Maskat, me fokus çështjet që lidhen me programin bërthamor.

Para Maskatit, Stambolli ishte propozuar si vend takimi pas ndërhyrjes së suksesshme të Turqisë për të ndihmuar në uljen e tensioneve mes dy vendeve.

Axios citoi zyrtarin duke thënë se nëse iranianët janë të gatshëm t’i kthehen formatit fillestar të bisedimeve, SHBA-ja është e gatshme të takohet këtë javë ose javën e ardhshme.

Por agjencia gjysmëzyrtare iraniane Mehr citoi një burim të ketë thënë se Washingtoni synon të “ngrejë çështje jashtë kornizës bërthamore, përfshirë çështje të mbrojtjes”.

“Këto kërkesa jo vetëm që nuk lidhen me dosjen bërthamore, por janë drejtpërdrejt të lidhura me sigurinë kombëtare dhe kapacitetin parandalues të vendit dhe janë thelbësisht të panegociueshme”, ka thënë burimi i paidentifikuar.

Ai ka shtuar se Irani është “i gatshëm të negociojë brenda një kornize të përcaktuar, të bazuar në respekt të ndërsjellë për çështjet bërthamore”, duke theksuar se “këmbëngulja në kërkesa të tepruara dhe ngritja e çështjeve përtej marrëveshjes janë faktori kryesor pas çdo ngërçi të mundshëm”.

Omani kishte shërbyer më parë si ndërmjetës në kontaktet indirekte mes dy palëve.

Bisedimet e planifikuara zhvillohen në një kohë tensionesh në rritje mes Washingtonit dhe Teheranit, të nxitura nga grumbullimi i forcave ushtarake amerikane në Gjirin Persik dhe kërcënimet e përsëritura për veprime ushtarake nga Trump.

Ditët e fundit, disa vende kanë ndërhyrë dhe kanë ofruar të ndërmjetësojnë mes Teheranit dhe Washingtonit për të ulur tensionet, me Turqinë që ka luajtur një rol veçanërisht aktiv.

SHBA-ja dhe aleati i saj Izraeli e akuzojnë Iranin se synon të prodhojë armë bërthamore, ndërsa Teherani thotë se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore, përfshirë prodhimin e energjisë elektrike.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın