Në 24 orët fundit në Gaza vdesin nga uria 6 persona të tjerë, përfshirë dy fëmijë
Numri i personave që kanë vdekur nga uria në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, është rritur në 393, prej të cilëve 140 janë fëmijë

Stamboll
Në 24 orët e fundit, 6 palestinezë të tjerë, përfshirë dy fëmijë kanë vdekur në Rripin e Gazës nga uria që po përjetohet për shkak të sulmeve dhe bllokadës izraelite, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza u ndanë informacionet e fundit mbi ata që kanë vdekur nga uria.
Në deklaratë thuhet se 6 palestinezë të tjerë, përfshirë 2 fëmijë kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja në 24 orët e fundit.
Numri i personave që kanë vdekur nga uria në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, është rritur në 393, prej të cilëve 140 janë fëmijë.
Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) i mbështetur nga OKB-ja, në deklaratën e bërë më 22 gusht theksoi se që nga shpallja e urisë e deri më tani në qytetin e Gazës kanë humbur jetën nga uria dhe kequshqyerja 115 persona, prej të cilëve 25 janë fëmijë.
IPC shpalli "situatën e urisë" në qytetin e Gazës dhe njoftoi se kjo mund të përhapet edhe në qytetet Deir Al-Balah dhge Khan Younis deri në fund të shtatorit.
- Gaza po vdes nga uria
Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe një rrethimi të rreptë që kufizon hyrjen e ndihmës humanitare, po përjeton katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe materialesh higjienike.
Vdekjet nga uria, veçanërisht midis fëmijëve, po rriten në Rripin e Gazës. Qarqet lokale dhe ndërkombëtare thonë se Izraeli përdor "urinë dhe etjen si armë".
Ushtria izraelite, e cila ka shkatërruar 88 për qind të Rripit të Gazës duke shkatërruar edhe infrastrukturën civile, shpesh synon palestinezët e zhvendosur me urdhër dëbimi në zonat ku ata janë strehuar.
Raportohet se numri i njerëzve të zhvendosur nga sulmet dhe urdhrat e deportimit izraelit në Gaza, e cila ka një popullsi prej afërsisht 2.3 milionë banorësh, ka arritur në 2 milionë dhe shumë njerëz janë zhvendosur disa herë.
Të privuar nga furnizimet bazë, palestinezët e zhvendosur përpiqen të mbijetojnë në tenda të improvizuara ose në shkolla të mbipopulluara ku furnizimet higjienike janë të pakta dhe sëmundjet infektive janë të përhapura.
Me sulme të përditshme, ushtria izraelite bombardon tendat dhe strehimoret civile të personave të zhvendosur.
Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 64.368, ndërsa numri i të plagosurve në 162.367.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.