Numri i viktimave nga zjarri në një qendër tregtare në Pakistan rritet në 14, dhjetëra të zhdukur
Guvernatori i provincës Kamran Tessori thotë se 70 deri në 80 persona ende rezultojnë të zhdukur ndërsa përpjekjet e kërkimit vazhdojnë
Islamabad
Numri i të vdekurve nga një zjarr masiv në një qendër tregtare në Karaçi, kryeqytetin tregtar të Pakistanit, është rritur në 14 pasi u nxorën më shumë trupa nga rrënojat, transmeton Anadolu.
Asad Raza, zëvendësinspektor i përgjithshëm i policisë jugore, i tha transmetuesit "Geo News" se operacionet e kërkim-shpëtimit mbeten në zhvillim e sipër në vendngjarje.
Guvernatori provincial i Sindhit, Kamran Tessori, ishte në vendngjarje më parë, duke u thënë gazetarëve se dhjetëra njerëz ishin të zhdukur pas incidentit.
"Kishte rreth 1.200 njerëz që bënin biznes në ndërtesë dhe 70 deri në 80 persona janë ende të zhdukur", tha ai.
Sipas zyrtarëve të Korporatës Metropolitane të Karaçit (KMC), operacionet e shuarjes së zjarreve kanë përfunduar dhe përpjekjet për ftohje tani janë duke u zhvilluar së bashku me largimin e mbeturinave.
Megjithatë, autoritetet paralajmëruan se ndërtesa është e vjetër dhe strukturalisht e paqëndrueshme, duke i detyruar ekipet e shpëtimit të vazhdojnë me kujdes ekstrem.
Zjarri shpërtheu vonë të shtunën në mbrëmje në qendrën tregtare Gul Plaza në rrugën MA Jinnah. Ndërtesa strehon rreth 1.200 dyqane, përfshirë pika shitjeje veshjesh, pajisjesh elektrike, kozmetike dhe enësh, faktorë që kontribuan në përhapjen e shpejtë të flakëve.
