Bota

Numri i të vdekurve në Gaza tejkalon 62.600, 8 palestinezë të tjerë vdesin nga uria

Tetë palestinezë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, vdiqën nga kequshqyerja dhe uria në Rripin e Gazës të bllokuar nga Izraeli në 24 orët e fundit. Kjo e çoi numrin e të vdekurve nga uria që nga tetori i vitit 2023 në 281 persona, përfshirë 114 fëmijë

Ikrame Imane Kouachi  | 23.08.2025 - Përdıtësım : 23.08.2025
Numri i të vdekurve në Gaza tejkalon 62.600, 8 palestinezë të tjerë vdesin nga uria Foto: AA/Arkiv

Ankara

Të paktën 62.622 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, transmeton Anadolu.

Ministria e Shëndetësisë tha se 61 trupa u sollën në spitale në 24 orët e fundit, ndërsa 308 persona u plagosën, duke e çuar numrin e të lënduarve në 157.673 si pasojë e sulmeve izraelite.

"Shumë viktima ende janë të bllokuara nën rrënoja dhe në rrugë, pasi ekipet e shpëtimit nuk mund t'i arrijnë ato", shtoi ajo.

Ministria gjithashtu theksoi se 16 palestinezë u vranë dhe mbi 111 u plagosën nga zjarri i ushtrisë izraelite teksa përpiqeshin të merrnin ndihmë humanitare në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të palestinezëve të vrarë teksa kërkonin ndihmë në 2.076, me mbi 15.308 të tjerë të plagosur që nga 27 maji.

Ministria tha se tetë palestinezë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, vdiqën nga kequshqyerja dhe uria në Rripin e Gazës të bllokuar nga Izraeli në 24 orët e fundit. Kjo e çoi numrin e të vdekurve nga uria që nga tetori i vitit 2023 në 281 persona, përfshirë 114 fëmijë.

Që nga 2 marsi, autoritetet izraelite kanë mbyllur plotësisht të gjitha kalimet kufitare të Gazës, duke krijuar një uri të rëndë për popullsinë 2.4 milionëshe të territorit.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.