Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza shkon në afër 65.300
Ministria raportoi më tej se katër persona, përfshirë një fëmijë, vdiqën nga uria dhe kequshqyerja në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të vdekjeve nga uria në 440, përfshirë 147 fëmijë

Stamboll
Të paktën 65.283 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, transmeton Anadolu.
Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza njoftoi se 75 trupa, përfshirë katër të nxjerrë nga rrënojat, u sollën në spitale në 24 orët e fundit, ndërsa 304 të tjerë u plagosën duke e çuar numrin e përgjithshëm të të plagosurve në 166.575 si pasojë e sulmeve izraelite.
"Shumë viktima akoma janë të bllokuara nën rrënoja dhe në rrugë pasi ekipet e shpëtimit nuk mund t'i arrijnë ato", tha ministria.
Nga atje gjithashtu u theksua se pesë palestinezë u vranë dhe 24 të tjerë u plagosën nga zjarri i ushtrisë izraelite teksa përpiqeshin të marrin ndihmë humanitare në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të palestinezëve të vrarë teksa kërkonin ndihmë në 2.523, me më shumë se 18.473 të tjerë të plagosur që nga 7 tetori.
Ministria raportoi më tej se katër persona, përfshirë një fëmijë, vdiqën nga uria dhe kequshqyerja në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të vdekjeve nga uria në 440, përfshirë 147 fëmijë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të luftës në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.