Norvegjia mirëpret rezolutën e KS-OKB-së për Gazën, bën thirrje për kalim në fazën tjetër
Ministri i Jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide tha se miratimi i rezolutës ishte zhvillim i mirëpritur, por theksoi se momenti nuk duhet humbur
Istanbul
Norvegjia përshëndeti sot rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që miraton armëpushimin dhe një plan 20-pikësh për paqen në Gaza, ndërsa bëri thirrje për përparim të menjëhershëm në fazën tjetër të iniciativës, transmeton Anadolu.
Ministri i Jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide tha se miratimi i rezolutës ishte zhvillim i mirëpritur, por theksoi se momenti nuk duhet humbur. "Është thelbësore tani të kalojmë në fazën e dytë të planit", tha Eide në platformën sociale të kompanisë amerikane X.
Ai theksoi se Norvegjia do të vazhdojë të punojë drejt "një shteti të unifikuar palestinez, të qeverisur nga palestinezët".
Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi të hënën një rezolutë të hartuar nga SHBA-ja që krijon një Bord të Përkohshëm të Paqes (BoP) dhe autorizon Forcat Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) të mbikëqyrin qeverisjen, rindërtimin dhe përpjekjet e sigurisë në Rripin e Gazës.
Rezoluta u miratua me 13 vota pro ndërsa Rusia dhe Kina abstenuan. Ajo autorizon Forcat e Sigurisë Ndërkombëtare (ISF) dhe Bordin e Paqes deri më 31 dhjetor 2027.
Që nga tetori i vitit 2023, gati 69.500 palestinezë kryesisht gra dhe fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 170.700 të tjerë janë plagosur në luftën e Izraelit që e ka shndërruar pjesën më të madhe të enklavës në rrënoja.
