Norvegjia: Akuzat e Izraelit për antisemitizëm kundër kryeministrit janë "të paarsyeshme"
“Qeveria ime do të bëjë gjithçka që është në fuqinë tonë për të mbrojtur dhe qëndruar pranë hebrenjve në Norvegji”, ka thënë Jonas Gahr Store.
Bruksel
Norvegjia hodhi poshtë akuzat e Izraelit se kryeministri Jonas Gahr Store shfaqi antisemitizëm duke marrë pjesë në një komemoracion për “Kristallnacht” të organizuar nga Qendra Antiraciste, raportoi radiotelevizioni publik norvegjez NRK, transmeton Anadolu.
Ministria e Jashtme izraelite kishte kritikuar vendimin e Store për të mos marrë pjesë në një ceremoni paralele të organizuar nga Komuniteti Fetar Mozaik, duke pretenduar në platformën X se kryeministri vendosi “standard të ri të ulët moral”, me “qëndrime antiizraelite dhe antisemitizëm”.
Sekretari i Shtetit në kabinetin e kryeministrit, Kristoffer Thoner, i ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur ato “të pasakta dhe të paarsyeshme.”
“Kryeministri Jonas Gahr Store dhe qeveria janë të përkushtuar në mënyrë të qartë dhe të vazhdueshme për të luftuar antisemitizmin në të gjitha format e tij”, ka thënë Thoner.
Sipas tij, Store e kishte pranuar ftesën për ngjarjen e Qendrës Antiraciste në tetor, ndërsa ftesa nga Komuniteti Fetar Mozaik kishte mbërritur vetëm të mërkurën.
“Qeveria ime do të bëjë gjithçka që është në fuqinë tonë për të mbrojtur dhe qëndruar pranë hebrenjve në Norvegji, dhe ne ishim të përfaqësuar në të dy ceremonitë në Oslo për të theksuar përkushtimin tonë në luftën kundër të gjitha formave të antisemitizmit”, shkroi Store në platformën amerikane X.
Ceremonia shënoi 86-vjetorin e Kristallnacht, kur turma nazistësh shkatërruan mbi 7.000 biznese dhe shtëpi hebreje në gjithë Gjermaninë dhe vranë disa hebrenj më 9–10 nëntor 1938.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
