Një burrë shpallet fajtor për vrasjen me thikë të një vajze 9-vjeçare në Mbretërinë e Bashkuar
26-vjeçari Skebas pranoi se e ka vrarë Lilian, por pretendoi se nuk është penalisht përgjegjës për shkak të gjendjes së tij të përkeqësuar mendore në atë kohë
Londër
26-vjeçari Deividas Skebas është shpallur fajtor për vrasjen me thikë të 9-vjeçares Lilia Valutyte, në një sulm të rastësishëm në Lincolnshire, transmeton Anadolu.
26-vjeçari Skebas pranoi se e ka vrarë Lilian, por pretendoi se nuk është penalisht përgjegjës për shkak të gjendjes së tij të përkeqësuar mendore në kohën e sulmit.
Megjithatë, një juri në Gjykatën e Kurorës në Lincoln e dënoi Skebasin për vrasjen e kryer më 28 korrik të vitit 2022, kur ai e goditi me thikë Lilian jashtë një dyqani ku punonte nëna e saj në qytetin Boston.
Skebas u mbajt në paraburgim dhe do të dënohet më vonë këtë muaj.
Prokurorët argumentuan se Skebas në momentin e sulmit ishte i vetëdijshëm për veprimet e tij dhe ndërmori hapa për të shmangur zbulimin. Ata shtuan se përkeqësimi i shëndetit të tij mendor pas vrasjes ishte i vërtetë.
Policia tha se pamjet e kamerave të sigurisë treguan se ai bleu një thikë dy ditë para vrasjes, vëzhgoi zonën përpara se të vriste Lilian dhe më pas u largua.
“Kishte prova të qarta se pasi Skebas vrau Lilian, ai bëri përgatitje për t’u larguar nga vendi”, tha policia.
“Vendimi nuk do të ndryshojë jetët tona. Asgjë nuk do ta sjellë fëmijën tonë mbrapsht, dhimbja nuk do të zhduket dhe lotët e derdhur nuk do ta fshijnë”, tha nëna e Lilias, Lina Savickiene.
Prokurori Christopher Donnellan i tha gjykatës se bëhej fjalë për një “akt të lig”, duke theksuar se Skebas e dinte se po “vriste një fëmijë”.
BBC raportoi se juria e shpalli Skebasin fajtor për vrasje me një vendim shumice 11 me 1, pas më shumë se shtatë orësh diskutimesh.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
