Një alpinist i vdekur, qindra të evakuuar në malin Everest
Gati 1.000 njerëz mbetën të bllokuar në rajon pasi një stuhi e papritur dëbore bllokoi rrugët gjatë fundjavës

Ankara
Të paktën një alpinist është raportuar i vdekur pas një stuhie të papritur dëbore që goditi Tibetin dhe Qinghai-n gjatë fundjavës, ndërsa operacionet e shpëtimit vazhdojnë të evakuojnë qindra njerëz nga shpatet lindore të malit Everest, raportuan sot mediat kineze, transmeton Anadolu.
Transmetuesi shtetëror CCTV tha se një alpinist vdiq nga hipotermia dhe sëmundja e lartësisë të dielën në zonën Laohugou të provincës Qinghai. Gati 1.000 njerëz mbetën të bllokuar në rajon pasi një stuhi e papritur dëbore bllokoi rrugët hyrëse dhe shembi tenda.
Që nga e hëna, 137 persona të bllokuar janë evakuuar në mënyrë të sigurt me shenja jete të qëndrueshme ndërsa 350 alpinistë të bllokuar nga stuhia e dëborës që goditi kampin bazë në shpatin lindor të malit më të lartë në botë kanë mbërritur në mënyrë të sigurt në pikën e shpëtimit.
Autoritetet lokale thanë se kanë vendosur kontakt me më shumë se 200 të tjerë, të cilët pritet të kthehen në mënyrë të sigurt.
Rreth 300 shpëtimtarë të mbështetur nga dy dronë po kryejnë operacionet e kërkim-shpëtimit në zonën Laohugou, pasi reshjet e vazhdueshme të dëborës e bënë detyrën "shumë sfiduese".
Laohugou ndodhet në një lartësi prej mbi 4.000 metrash. Qindra alpinistë mbetën të bllokuar në shpatet lindore të malit Everest në Tibet gjatë fundjavës.