Një shtetas amerikan vdes në një burg të Egjiptit
Kassem u arrestua nga autoritetet egjiptiane në vitin 2013

Kajro
Autoritetet egjiptiane kanë konfirmuar se një shtetas amerikan ka vdekur në një burg të Egjiptit pasi u mbajt për më shumë se 6 vite, transmeton Anadolu Agency (AA).
Prokurori i përgjithshëm i Egjiptit njoftoi se Mustafa Kassem dje u dërgua në spital për trajtim mjekësor, por sot ndërroi jetë.
Në njoftim thuhet se prokurori i përgjithshëm ka urdhëruar autopsi për të përcaktuar shkakun e vdekjes së Kassem-it.
Më herët, TV Al-Hurra e financuar nga SHBA, raportoi se Kassem, i cili ishte një egjiptian-amerikan, kishte vdekur pasi kishte mbajtur një grevë urie.
Autoritetet amerikane nuk kanë komentuar vdekjen e Kassem-it.
Kassem u arrestua në vitin 2013 pas shpërndarjes së një kampi të madh të protestuesve që mbështesnin ish-presidentin Mohamed Morsi në sheshin Rabaa al-Adawiya të Kajros.
Përderisa autoritetet egjiptiane thonë se vetëm 623 persona u vranë kur forcat e sigurisë shpërndanë me forcë kampin, kundërshtarët thonë se numri i të vdekurve shkon në mijëra persona.
Morsi, i cili u largua nga pushteti pas një grusht shteti ushtarak në vitin 2013, vitin e kaluar vdiq gjatë një seance gjyqësore me akuzat e "spiunazhit".
Në shtator të vitit 2018, Kassem u dënua me 15 vjet burg. Menjëherë pas dënimit të tij, ai i dërgoi një letër presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, duke kërkuar ndihmën e tij.
Në dhjetor, departamenti amerikan i Shtetit u kërkoi autoriteteve egjiptiane që ta lirojnë. Trump njëherë përmendi emrin e tij si person i cili do të lirohet.