Një objekt gjuetie 1500-vjeçare zbulohet në Norvegji
Qindra trungje druri të gdhendura, që besohet të jenë mbetjet e një vendi të madh gjuetie, u gjetën në tokë përreth një cope akulli 1.400 metra mbi nivelin e detit
Istanbul
Arkeologët nga Muzeu Universitar i Bergenit zbuluan një strukturë 1.500-vjeçare për gjueti masive të drerëve në pllajën Aurlandsfjellet në Norvegji, raportoi NRK, transmeton Anadolu.
Qindra trungje druri të gdhendura, që besohet të jenë mbetjet e një vendi të madh gjuetie, u gjetën në tokë përreth një cope akulli 1.400 metra mbi nivelin e detit. Pjesa më e paprekur e vendit përbëhet nga dy gardhe të bëra me shtylla druri, të cilat mund t'i kenë çuar drerët në një rrethim të ndërtuar nga trungje masive, ku ata janë vrarë.
Zbulimi mund të ofrojë njohuri të reja rreth mënyrës se si njerëzit jetonin dhe gjuanin në shekullin e 6-të. "Nuk ka të ngjashme. Është diçka që nuk e kemi gjetur më parë. Gjendja e saj e ruajtjes është ndryshe nga çdo gjë me të cilën jemi mësuar", tha studiuesi dhe arkeologu Leif Inge Astveit.
Përreth vendit, janë gjetur edhe një numër objektesh të tjera të ruajtura mirë, të tilla si sende prej druri të punuara me dorë dhe brirë nga drerët e egër, të cilat mund të japin më shumë përgjigje rreth mënyrës se si zhvillohej gjuetia. Ende nuk është e sigurt se çfarë funksioni kishin këto objekte prej druri, por studiuesit besojnë se ato janë mjete të përdorura në lidhje me gjuetinë.
"Zbulimi hap interpretime dhe kuptime krejtësisht të reja se si funksiononin këto objekte në praktikë. Ai ofron pasqyrë të rëndësisë më të gjerë shoqërore që gjuetia e drerëve mund të ketë pasur gjatë Epokës së Hershme të Hekurit", tha Astveit.
Ruajtja e vendit i atribuohet një periudhe të ftohtë që e mbuloi atë me akull për më shumë se 1.500 vjet. Përderisa ndryshimet klimatike shkaktojnë ngrohjen e Tokës, shkrirja e akullit tani po e zbulon vendin. Me akullnajat që pritet të vazhdojnë të zhduken këtë shekull, shkencëtarët besojnë se më shumë gjetje parahistorike mund të dalin në vitet e ardhshme.
"Është emocionuese të ndjekësh zbulimet që po dalin, për shembull, ato që lidhen me udhëtimet dhe gjuetinë. Por, është gjithashtu shenjë se klima po ndryshon dhe se po humbasim shumë nga copat e akullit dhe akullnajat tona", tha për NRK studiuesja e akullnajave Liss Marie Andreassen.
