Një flotilje e madhe civile do të niset drejt Gazës në fund të gushtit për të thyer rrethimin izraelit
- “Këtë verë, dhjetëra anije, të mëdha dhe të vogla, do të nisen nga porte të ndryshme të botës për t’u bashkuar në Gaza, në flotiljen më të madhe civile të këtij lloji në histori”, tha organizatorja Haifa Mansouri

Istanbul
TUNIS/STAMBOLL (AA) - Një flotilje e madhe civile pritet të niset drejt Rripit të Gazës në fund të muajit gusht, në një përpjekje të re për të thyer bllokadën izraelite që ka lënë të gjithë popullsinë e enklavës në prag të urisë, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Tunis, të organizuar nga Koordinimi i Veprimit të Përbashkët për Palestinën, një platformë koordinuese e shoqërisë civile, anëtarët e Flotiljes Globale Sumud thanë se aktivistë nga 44 vende janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë përpjekje të koordinuar.
“Këtë verë, dhjetëra anije, të mëdha dhe të vogla, do të nisen nga porte të ndryshme të botës për t’u bashkuar në Gaza, në flotiljen më të madhe civile të këtij lloji në histori”, tha organizatorja Haifa Mansouri.
Flotilja bashkon katër iniciativa, respektivisht Flotiljen Sumud të Magrebit, Lëvizjen Globale për Gazën, Koalicionin e Flotiljes së Lirisë dhe Sumud Nusantara. Qëllimi i tyre i përbashkët, sipas Mansourit, është të “thyejnë bllokadën e paligjshme ndaj Gazës nga deti, të krijojnë një korridor humanitar dhe të përballen me gjenocidin në vazhdim ndaj popullit palestinez”.
Autokolona e parë do të niset nga portet spanjolle më 31 gusht, e ndjekur nga një e dytë që do të niset nga portet tuniziane më 4 shtator.
Seif Abu Keshk, një tjetër organizator, tha se më shumë se 6 mijë aktivistë janë regjistruar online për t’u bashkuar.
“Pjesëmarrësit do të marrin trajnim në pikat e nisjes, ndërsa përgjatë rrugës janë planifikuar ngjarje solidariteti dhe kampe. Kjo është një përpjekje e re për të ushtruar presion mbi qeveritë duke dërguar dhjetëra anije dhe mijëra aktivistë për të thyer bllokadën e Gazës,” tha Abu Keshk.
Njoftimi vjen vetëm disa ditë pasi forcat detare izraelite ndaluan anijen e ndihmave Handala më 26 korrik derisa ajo i afrohej brigjeve të Gazës, duke e shoqëruar drejt portit Ashdod. Anija kishte arritur rreth 70 milje detare nga Gaza, duke tejkaluar distancën e mbuluar më herët nga Madleen, që ishte ndaluar pas 110 miljesh.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vazhduar me ofensivën e ashpër mbi Gazën që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 61 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar në prag të urisë.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.