Një anije që mbante gati 100 emigrantë përmbyset pranë kufirit detar Malajzi-Tajlandë
Grupi, që ishte nisur drejt Malajzisë nga Mianmari, fillimisht hipi në një anije të madhe që mbante 300 persona, por teksa u afruan në kufi ata u urdhëruan të kalojnë në tre anije më të vogla për të shmangur zbulimin nga autoritetet
Stamboll
Një anije që besohet se mbante gati 100 emigrantë pa dokumente është përmbysur pranë kufirit detar midis Malajzisë dhe Tajlandës, me gjashtë të mbijetuar të gjetur, transmeton Anadolu.
Siç raporton Bernama News, shefi i policisë në Kedah të Malajzisë, Adzli Abu Shah, tha se gjashtë personat e shpëtuar përfshinin tre burra nga Mianmari, dy burra Rohingya dhe një burrë nga Bangladeshi. Trupi i një gruaje të ndjerë e komunitetit Rohingya gjithashtu u zbulua duke lundruar në det.
Shah tha se grupi, që ishte nisur drejt Malajzisë nga Mianmari, fillimisht hipi në një anije të madhe që mbante 300 persona, por teksa u afruan në kufi ata u urdhëruan të kalojnë në tre anije më të vogla, secila me nga afërsisht 100 persona, për të shmangur zbulimin nga autoritetet.
"Megjithatë, tre ditë më parë, anija në të cilën ata ndodheshin u përmbys dhe incidenti besohet të ketë ndodhur në ujërat tajlandeze përpara se ato të arrijnë në ujërat malajziane", u tha shefi i policisë gazetarëve.
Ai përmendi se statusi i dy anijeve të tjera është i panjohur dhe një operacion kërkim-shpëtimi ende është në zhvillim e sipër.
Komuniteti Rohingya, një pakicë kryesisht muslimane në Mianmar, përballen me abuzim, diskriminim dhe pashtetësi, duke ikur shpesh nga Mianmari.
Mianmari ka qenë në luftë civile që nga grushti ushtarak i shtetit në vitin 2021, mes përleshjeve të brendshme etnike.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
