Ngrirja e pjesshme e armëve nga Gjermania për Izraelin merr miratimin e 83 për qind të publikut
Sondazhi zbuloi se shumica e gjermanëve duan që qeveria e tyre të ushtrojë më shumë presion politik mbi Izraelin për t’i dhënë fund fushatës ushtarake në Gaza

Berlin
Vendimi i qeverisë gjermane për të pezulluar pjesërisht eksportet e armëve në Izrael ka marrë një mbështetje të gjerë publike, transmeton Anadolu.
Sondazhi i kryer për televizionin publik ZDF zbuloi se 83 për qind e gjermanëve besojnë se është e drejtë të ndalohen furnizimet me armë për Izraelin që potencialisht mund të përdoren në Rripin e Gazës.
Sondazhi gjithashtu zbuloi se shumica e gjermanëve duan që qeveria e tyre të ushtrojë më shumë presion politik mbi Izraelin për t’i dhënë fund fushatës ushtarake në Gaza, përkatësisht 62 për qind e të anketuarve kërkuan më shumë presion dhe vetëm 30 për qind e kundërshtuan këtë.
Pas disa javësh kritikash në rritje, javën e kaluar, kancelari Friedrich Merz njoftoi se Gjermania nuk do të autorizojë më eksportet e armëve në Izrael të cilat mund të përdoren në Gaza.
Vendimi i kancelarit gjerman u mor në përgjigje të planit të kabinetit izraelit për të pushtuar plotësisht Rripin e Gazës dhe për të dëbuar popullsinë palestineze.
Sondazhi i ZDF-së tregoi se shumica e gjermanëve gjithashtu mbështesin njohjen e shtetësisë palestineze, pavarësisht ngurrimit të qeverisë gjermane për këtë çështje. Sipas sondazhit, 60 për qind e të anketuarve besojnë se Gjermania duhet ta njohë Palestinën si shtet, ndërsa vetëm 22 për qind e kundërshtojnë këtë dhe 18 për qind ishin të pavendosur.
Kancelari Merz, një aleat i fortë i Izraelit prej kohësh, fillimisht i rezistoi thirrjeve të ligjvënësve të opozitës për një embargo armësh, pavarësisht akuzave se qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu po përdorte taktika të urisë dhe po kryente krime luftë në Gaza.
Të dielën, Merz e bëri të qartë se teksa Gjermania do të ndalonte miratimin e eksporteve të reja të armëve që mund të përdoren në Gaza, politika tradicionale e Berlinit për të mbështetur Izraelin mbetet e pandryshuar. Ai nuk mbështeti thirrjet nga vendet e tjera evropiane për të pezulluar marrëveshjen tregtare BE-Izrael dhe shprehu skepticizëm në lidhje me njohjen e shtetësisë palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.