Bota

Ngjarja që shënoi fundin e Luftës së Ftohtë, 34 vjet nga rënia e Murit të Berlinit

Me një gjatësi prej 156 kilometrash, Muri i Berlinit ishte shkaktar për vdekjen e të paktën 138 personave që u vranë duke u përpjekur ta kalonin atë. Shumë të tjerë, të cilët u penguan nga ky plan, përfunduan në burgje

Erbil Başay  | 08.11.2023 - Përdıtësım : 09.11.2023
Ngjarja që shënoi fundin e Luftës së Ftohtë, 34 vjet nga rënia e Murit të Berlinit

Berlin

Erbil Basay/Cuneyt Karadag

Kanë kaluar 34 vjet nga rënia e Murit të Berlinit, i cili për më shumë se dy dekada ndau Gjermaninë Lindore dhe Perëndimore, raporton Anadolu.

Muri u ndërtua me vendimin e regjimit të atëhershëm komunist për të parandaluar largimin e gjermano-lindorëve në vendet demokratike perëndimore. Rënia e Murit të Berlinit nënkuptonte jo vetëm bashkimin e Gjermanisë, por edhe fillimin e rënies së regjimit komunist, pra fundin e Luftës së Ftohtë.

Muri i Berlinit ishte pengesë e gjatë që ndante Berlinin në dy pjesë, në atë Perëndimor dhe Lindor, si dhe territorin rrethues të Republikës Demokratike Gjermane (DDR). Ai u ndërtua nga Qeveria e Gjermanisë Lindore dhe iu dha një emër propagandistik me shtojcën "antifashist".

Ndërtimi filloi më 13 gusht 1961 dhe disa herë u rindërtua. Muri nuk ishte thjesht një tel me gjemba i zakonshëm mbi një pengesë të lartë tullash, por ai kishte rolin e një muri gjigant betoni që rrethonte Berlinin Perëndimor, duke ndarë praktikisht qytetin, duke prerë rrugët dhe duke ndarë shumë familje dhe miq.

Rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, e cila ishte pikë kthese për Gjermaninë dhe Evropën, i dha fund regjimit të Gjermanisë Lindore, pra Republikës Demokratike Gjermane (DDR), ndërkaq blloku socialist në Evropë u zhduk.

Midis 1949 dhe 1961, rreth 3 milionë njerëz, veçanërisht të rinj të arsimuar dhe të kualifikuar, ikën në Perëndim nga Gjermania Lindore, ekonomia e së cilës po përkeqësohej. Për të parandaluar arratisjet e tilla, administrata e DDR-së vendosi mbylljen e fshehtë të kufirit në Berlin të shtunën në mbrëmje, 12 gusht 1961.

Me një gjatësi prej 156 kilometrash, Muri i Berlinit ishte shkaktar për vdekjen e të paktën 138 personave që u vranë duke u përpjekur ta kalonin atë. Shumë të tjerë, të cilët u penguan nga ky plan, përfunduan në burgje.

Për shkak të dëshirës gjithnjë e në rritje për bashkim, ai u rihap për qarkullim të papenguar më 9 nëntor 1989 dhe më pas u shemb plotësisht. Vetëm pak orë pas rënies së Murit të Berlinit, u hapën pika të tjera kufitare dhe dhjetëra mijëra gjermanë kërcyen para dhe mbi mur. Në të njëjtën ditë pas rënies së murit, një milion njerëz kaluan në Berlinin Perëndimor.

Rënia e Murit të Berlinit, simbol i "Luftës së Ftohtë" në shekullin e 20-të, ishte një nga hapat e rëndësishëm që u ndërmor drejt ribashkimit të vendit. Përpara 34-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, ata që vizituan këtë memorial në Berlin i treguan gazetarit të Anadolu mendimet dhe kujtimet e tyre për rrëzimin e murit.

Ingrid Pixley, e cila emigroi nga Berlini në SHBA në vitin 1986 dhe erdhi për të vizituar kryeqytetin, tha se kurrë nuk e kishte pritur rrëzimin e Murit të Berlinit. "Nuk e mendoja se kjo do të ndodhte. Ishte një surprizë e madhe. Unë njoh njerëz që janë përpjekur të kalojnë në këtë anë", tha Pixley.

Ajo tha se besonte se njerëzit që jetonin në Gjermaninë Lindore dhe Perëndimore janë integruar. "Ishte më e vështirë nga sa e imagjinonin njerëzit, por ata gjithsesi u integruan. Mendoj se është mbresëlënëse të vish në Berlin dhe të shohësh njerëz të kombësive të ndryshme. Është shumë bukur që fliten kaq shumë gjuhë këtu", shpjegoi Pixley.

Një nga vizitorët ishte një pensionist që nuk donte të tregonte emrin e tij. Ai tha se rrënimin e murit e kishte mësuar nga lajmet e televizionit më 9 nëntor 1989. "Në fillim nuk mund ta besoja", shpjegoi pensionisti. Ai beson se njerëzit që jetojnë në lindje dhe perëndim të vendit nuk janë plotësisht të integruar dhe se ka ende njerëz që kanë paragjykime ndaj njëri-tjetrit.

Nikolla, i cili para rënies së murit punonte në një kopsht fëmijësh në Berlinin Lindor, tha se mbrëmjen e 9 nëntorit ishte në shtëpi dhe të nesërmen kishte shkuar në punë në kopsht.

Rrëzimi i murit e kishte befasuar. "Ka shumë mundësi në këtë qytet. Shumë prej tyre shkuan të punojnë në perëndim të qytetit. Sigurisht që ka dallime. Unë kam miq si në lindje ashtu edhe në perëndim të qytetit. Berlini për mua u bë një qytet. Sigurisht që ka ende probleme", shtoi Nikolla.

Dy personat e parë që humbën jetën duke u përpjekur të kalonin Murin e Berlinit ishin Ida Siekmann dhe Gunter Liftin.

Muri ishte mishërim i Luftës së Ftohtë, kështu që vetë shembja e Murit të Berlinit shënoi fillimin e çlirimit nga ideologjia dhe strukturat komuniste, jo vetëm në Gjermaninë Lindore, por në shumicën e vendeve deri atëherë socialiste të Evropës.

Për shumë vite dhe veçanërisht pas ribashkimit, Gjermania ka qenë fuqia më e madhe ekonomike në Evropë dhe ndër liderët në botë. Çdo 9 nëntor organizohen përkujtime modeste të përvjetorit të rënies së Murit të Berlinit, ku të pranishmit kujtojnë edhe ata që humbën jetën.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın