Bota

Netanyahu zotohet për hakmarrje ndaj Gazës pasi Hamasi kthen trupat e 4 pengjeve izraelite

Grupi i rezistencës palestineze tha se ata u vranë në sulmet ajrore izraelite pa dallim gjatë gjenocidit 16-mujor në enklavën palestineze

Mohammad Sıo  | 20.02.2025 - Përdıtësım : 20.02.2025
Netanyahu zotohet për hakmarrje ndaj Gazës pasi Hamasi kthen trupat e 4 pengjeve izraelite

Kuds

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do të hakmarret ndaj Rripit të gazës pasi Hamasi liroi trupat e katër pengjeve izraelite, pavarësisht akuzave se refuzimi i tij i zgjatur për të negociuar lirimin e tyre çoi në vdekjen e tyre, transmeton Anadolu.

Më herët, Hamasi dorëzoi trupat e Shiri Bibas, dy fëmijëve të saj, Ariel dhe Kfir, si dhe të Oded Lifshitz në Khan Younis të Rripit të Gazës, në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve me Izraelin.

Grupi i rezistencës palestineze tha se ata u vranë në sulmet ajrore izraelite pa dallim gjatë gjenocidit 16-mujor në enklavën palestineze.

Në deklaratën e tij të parë pas dorëzimit, Netanyahu, i cili përballet me akuza për krime kundër njerëzimit në Gaza, tha se “zëri i gjakut të të dashurve tanë na bërtet nga toka”.

“Kërkon që ne të lajmë hesapet me vrasësit e shthurur dhe ne do të lajmë hesapet me ta”, tha Netanyahu.

“Kthimi i këtyre katër trupave na detyron të sigurojmë që ajo që ndodhi më 7 tetor të mos ndodhë më kurrë”, tha ai, duke sugjeruar qëllimin e tij për të rifilluar luftën në Gaza.

Hamasi tha se forcat izraelite janë përgjegjëse për vdekjen e pengjeve me bombardimin e vendeve ku ata po mbaheshin. Grupi palestinez theksoi se i trajtonte pengjet në mënyrë njerëzore dhe u përpoq t’i mbrojë ata.

Hamasi theksoi se të njëjtat sulme izraelite që vranë katër pengjet izraelite, gjithashtu vranë 17.881 fëmijë palestinezë në “bombardimin kriminal të Izraelit ndaj Gazës”.

“Netanyahu tani vajton për eshtrat e të burgosurve të tij, duke u përpjekur t’i shmanget përgjegjësisë për vdekjen e tyre”, tha Hamasi, duke e akuzuar atë për përdorimin e situatës për mbijetesë politike.

Kërcënimet e Netanyahut kundër Gazës vijnë derisa zemërimi i publikut po rritet për kthimin e pengjeve izraelite në arkivole për herë të parë në marrëveshjen e shkëmbimit.

Reagimi e detyroi kryeministrin të anulojë planet e tij për pjesëmarrje në pritjen e eshtrave, nga frika se optika e momentit do të kthehej kundër tij.

Opozita izraelite ka fajësuar Netanyahun për vdekjet, duke argumentuar se ai vonoi shkëmbimin e të burgosurve për muaj të tërë për të shmangur rrezikimin e koalicionit të tij të brishtë, i cili përfshin ministra të ekstremit të djathtë që shtyjnë që lufta në Gaza të vazhdojë.

Marrëveshja e armëpushimit të Gazës hyri në fuqi muajin e kaluar, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit që ka vrarë të paktën 48.300 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për luftën e tij në enklavë gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.