Bota

Netanyahu viziton zonën tampon të pushtuar nga Izraeli në Siri së bashku me zyrtarë të lartë të ushtrisë

Vizita erdhi disa orë pasi seanca e planifikuar e gjyqit ndaj Netanyahut për akuza korrupsioni u anulua me kërkesën e tij për shkak të një “çështjeje sigurie”

Betül Yılmaz  | 19.11.2025 - Përdıtësım : 19.11.2025
Netanyahu viziton zonën tampon të pushtuar nga Izraeli në Siri së bashku me zyrtarë të lartë të ushtrisë

Kuds/Stamboll

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kryer sot një vizitë në terren në zonën tampon të pushtuar nga Izraeli në Siri, transmeton Anadolu.

Sipas transmetuesit izraelit Channell 12, Netanyahu shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, shefi i ushtrisë, Eyal Zamir dhe ministri i Jashtëm, Gideon Saar.

Vizita erdhi disa orë pasi seanca e planifikuar e gjyqit ndaj Netanyahut për akuza korrupsioni u anulua me kërkesën e tij për shkak të një “çështjeje sigurie”.

Nuk pati reagim të menjëhershëm nga autoritetet siriane lidhur me vizitën.

Pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit në fund të vitit 2024, Izraeli zgjeroi pushtimin e tij në Lartësitë e Golanit duke marrë nën kontroll zonën e çmilitarizuar, një veprim që përbënte shkelje të Marrëveshjes së Çmilitarizimit të vitit 1974 me Sirinë.

Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi në një deklaratë të përbashkët me agjencinë Shin Bet dhe policinë se disa izraelitë dhe sirianë u arrestuan sot për dyshime se tentuan të trafikonin armë përmes kufirit sirian drejt “një rrjeti kriminal brenda Izraelit”.

Pesë ushtarë izraelitë aktivë dhe rezervistë ishin mes të ndaluarve, të cilët kishin transportuar armë nga Siria drejt një rrjeti kontrabande në veri të Izraelit në disa raste kur kishin kaluar kufirin, thuhej në deklaratë.

Po ashtu, forcat izraelite zbuluan dhjetëra armë në një operacion të ngjashëm muajin e kaluar dhe arrestuan tre sirianë të dyshuar për përfshirje në kontrabandë armësh në jug të Sirisë.

Edhe për këtë njoftim, nuk pati reagim të menjëhershëm nga Siria.

Kohët e fundit, ndërhyrjet izraelite në jug të Sirisë janë intensifikuar, me banorët lokalë që ankohen për depërtime në tokat e tyre bujqësore, shkatërrimin e qindra hektarëve pyje, arrestime të rezidentëve dhe ngritjen e pikave ushtarake të kontrollit.

Sipas të dhënave qeveritare, ushtria izraelite ka kryer mbi 1.000 sulme ajrore në Siri dhe më shumë se 400 inkursione tokësore në provincat jugore që nga dhjetori 2024.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın