Netanyahu urdhëron ushtrinë izraelite të shtojë sulmet ndaj Iranit
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë izraelite të shtojë sulmet ndaj Iranit pas hakmarrjes së Teheranit mëngjesin e sotëm

Ankara
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë izraelite të shtojë sulmet ndaj Iranit pas hakmarrjes së Teheranit mëngjesin e sotëm, transmeton Anadolu.
Netanyahu bëri një deklaratë me shkrim në llogarinë e tij në rrjetet sociale në lidhje me sulmin hakmarrës të Iranit me raketa mëngjesin e sotëm që goditi disa pika në Tel Aviv dhe rrethinat e tij.
Duke kërcënuar qeverinë e Teheranit, Netanyahu tha se zyrtarët iranianë "do ta paguajnë çmimin".
- Deklarata e ministrit izraelit të Mbrojtjes: "Khamenei do ta paguajë çmimin"
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz, bëri gjithashtu kërcënime të ngjashme në llogarinë e tij në rrjetet sociale.
Ai tha se sulmet e Iranit mëngjesin e sotëm "përbëjnë krim lufte". Katz pohoi se udhëheqësi iranian, Ali Khamenei "do ta paguajë çmimin".
Katz tha se ai dhe Netanyahu e kanë urdhëruar ushtrinë izraelite të shtojë sulmet ndaj Iranit.
Irani u hakmor me raketa kundër Izraelit këtë mëngjes në përgjigje të sulmeve izraelite.
Pretendohet se në këtë sulm, raketat goditën drejtpërdrejt disa ndërtesa në Tel Aviv, Ramat Gan, Holon dhe në jug të qytetit Beersheba dhe se raketa që kishte në shënjestër Beersheban ra mbi spitalin "Soroka".
- Konflikti që filloi me sulmet e dhunshme të Izraelit ndaj Iranit
Më 13 qershor, Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë duke synuar objektet bërthamore në qytete të ndryshme në Iran si dhe komandën e lartë ushtarake.
Ndërkohë që shefi i Shtabit të Iranit, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare, disa komandantë të lartë dhe 9 shkencëtarë bërthamorë u vranë në sulme, numri total i viktimave civile u njoftua si 224.
Raportohet se 24 persona u vranë dhe më shumë se 500 të tjerë u plagosën në hakmarrjen e ushtrisë iraniane kundër Izraelit me raketa balistike.
Shumë vende, veçanërisht Turqia, e dënuan Izraelin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.