Netanyahu pretendon se Irani ka zhvilluar raketë të aftë për ta goditur SHBA-në
Kryeministri izraelit, Netanyahu pretendon se Irani mund të synojë qytete në bregdetin lindor të SHBA-së me raketën që po zhvillon

Ankara
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu pretendon se Irani po punon për të zhvilluar një raketë të aftë për të arritur qytetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), transmeton Anadolu.
Në një intervistë, Netanyahu foli lidhur me zhvillimet dhe negociatat që po zhvillohen me Hamasin.
Netanyahu pohoi se ata ishin "afër" ndalimit të sulmeve në Rripin e Gazës, por shtoi se ende nuk ishte arritur asnjë marrëveshje për armëpushim. Ai theksoi se edhe nëse arrihet armëpushim "nuk do të lejojnë" që Hamasi të qëndrojë në qeverisje.
Duke folur për çështjen e Iranit, Netanyahu pretendon se Teherani po punon për të zhvilluar raketë me rreze veprimi prej 8.000 kilometrash.
Ai thotë se Irani mund të synojë qytete në bregdetin lindor të SHBA-së me këtë raketë që po zhvillon. "Njerëzit nuk e besojnë. Irani po zhvillon raketa ndërkontinentale me rreze veprimi prej 8.000 kilometrash. Shtoni edhe 3.000 kilometra të tjera dhe ato mund të arrijnë bregdetin lindor të SHBA-së", tha Netanyahu.
Duke pohuar se kjo situatë "është rrezik i madh" për SHBA-në, Netanyahu theksoi se vendi i tij ka "bërë një punë të mirë" që ta mbajë larg këtë kërcënim.