Bota

Netanyahu: Palestinezët duhet të kenë "lirinë e zgjedhjes" për t'u larguar nga Gaza

Nëse duan të largohen, palestinezët duhet të kenë të drejtën e “lirisë së zgjedhjes”, ka thënë kryeministri izraelit

Diyar Güldoğan  | 09.07.2025 - Përdıtësım : 10.07.2025
Netanyahu: Palestinezët duhet të kenë "lirinë e zgjedhjes" për t'u larguar nga Gaza

Washington

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të mërkurën se ai dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump kanë një “qëllim të përbashkët” për Rripin e Gazës, duke mohuar raportimet se ata kërkojnë zhvendosjen me forcë të palestinezëve, transmeton Anadolu.

“Dua t’ju informoj diçka që do të tronditë raportimet e ndryshme që dalin. Unë dhe presidenti Trump kemi një qëllim të përbashkët”, u tha Netanyahu gazetarëve në Capitol Hill, duke iu referuar raportimeve të medias që thanë se Izraeli dhe SHBA-ja e mbajnë gjallë idenë e zhvendosjes së palestinezëve nga enklava e rrethuar.

“Dua të arrij lirimin e pengjeve tona. Ne duam t’i japim fund sundimit të Hamasit në Gaza, të sigurohemi që Gaza të mos përbëjë kërcënim për Izraelin. Në ndjekjen e këtij qëllimi të përbashkët, ne kemi një strategji të përbashkët. Jo vetëm që kemi një strategji të përbashkët, ne kemi taktika të përbashkëta. Kjo nuk përfshin presion, nuk përfshin detyrim. Përfshin koordinim të plotë”, tha Netanyahu.

Trump priti Netanyahun të hënën për një darkë në Shtëpinë e Bardhë, ku diskutuan çështjet rajonale, duke përfshirë një marrëveshje të mundshme armëpushimi në Gaza.

Gjatë takimit të tyre të hënën, i pyetur nga një gazetar nëse plani i tij i zhvendosjes së palestinezëve është ende në tryezë, Trump tha se SHBA-ja ka “bashkëpunim të shkëlqyer” nga vendet përreth për të pranuar palestinezët. Ndërkaq, Netanyahu tha se po “i afrohen gjetjes së disa vendeve” dhe shtoi se palestinezëve që dëshirojnë të largohen nga Gaza duhet t’u jepet një “zgjedhje e lirë”.

Trump u takua gjithashtu me Netanyahun të martën për herë të dytë, ndërsa përpjekjet vazhduan për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza.

“Ne nuk po e detyrojmë askënd”, tha Netanyahu kur u pyet nëse dëbimi i palestinezëve në vendet me të cilat nuk kanë lidhje do ta bënte Izraelin “më të sigurt”.

“Nuk mendoj se ky është sugjerimi i presidentit Trump. Sugjerimi i tij ishte t’u jepte atyre një zgjedhje”, shtoi ai.

Palestinezët duhet të kenë të drejtën e “lirisë së zgjedhjes”, tha ai, duke shtuar se “megjithaté, asgjë më shumë se kaq, asnjë detyrim, asnjë zhvendosje me forcë”.

Izraeli ka vrarë më shumë se 57.500 palestinezë në Gaza që nga tetori 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi dhe përhapje të sëmundjeve.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi ​​urdhra arresti për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın