Netanyahu, ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit diskutojnë mbi planin për pushtimin e Gazës
- Nga Zyra e kryeministrit izraelit thuhet se Netanyahu diskutoi mbi planet për pushtimin e qytetit të Gazës me Katz dhe Zamir në bazën ushtarake "Reim" pranë kufirit jugor të Rripit të Gazës
Kuds
KUDS (AA) - Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu diskutoi planin për pushtimin e qytetit të Gazës, të cilin e morën në takimin e Kabinetit të Sigurisë me ministrin e Mbrojtjes Yisrael Katz dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm Eyal Zamir, transmeton Anadolu.
Në deklaratën nga Zyra e kryeministrit izraelit thuhet se Netanyahu diskutoi mbi planet për pushtimin e qytetit të Gazës me Katz dhe Zamir në bazën ushtarake "Reim" pranë kufirit jugor të Rripit të Gazës.
Pas lajmeve se Hamasi ka pranuar propozimin e armëpushimit nga ndërmjetësit Katar dhe Egjipti, Netanyahu pretendon se lëvizja në Rripin e Gazës ndodhet "nën presion të madh".
Vendimi i Kabinetit izraelit të Sigurisë për të pushtuar qytetin e Gazës ka shkaktuar reagim ndërkombëtar, ndërsa qeveria e Tel Avivit dhe ushtria vazhdojnë përgatitjet e tyre për pushtimin.
- Hamasi pranoi propozimin për armëpushim
Hamasi njoftoi se ka pranuar propozimin për armëpushim nga Egjipti dhe Katari në lidhje me një armëpushim dhe shkëmbim të burgosurish në Gaza.
Propozimi i ri për armëpushim dhe shkëmbim të burgosurish i paraqitur nga Kajro dhe Doha është pranuar, thuhet në deklaratën në të cilën bëhet e ditur se "Hamasi dhe grupet e tjera palestineze kanë përcjellë se e kanë pranuar propozimin e paraqitur dje nga vendet ndërmjetëse, Egjipti dhe Katari".
- Vendimi i Izraelit për të pushtuar qytetin e Gazës
Kabineti izraelit i Sigurisë më 8 gusht miratoi planin për të pushtuar qytetin e Gazës, i cili ndodhet në veri të Rripit të Gazës. Netanyahu në një intervistë për "Fox News" para mbledhjes së kabinetit, deklaroi se ata synojnë të pushtojnë të gjithë Rripin e Gazës.
Por, në lajmet e paraqitura në lidhje me planin e pushtimit para mbledhjes së kabinetit treguan se sulmet do të kryheshin në faza. Më tej u tha se pushtimi do të fillonte së pari në qytetin e Gazës dhe se sulmet do të shtriheshin më pas në kampet e refugjatëve palestinezë në rajonin qendror.
