Bota

Netanyahu hedh poshtë thirrjet për tërheqje nga territoret siriane të pushtuara nga Izraeli

Sulmet ushtarake izraelite ndaj Sirisë u intensifikuan pas rënies së regjimit 61-vjeçar Baath, ndërkohë Izraeli filloi të shkatërronte infrastrukturën ushtarake të lënë nga forcat e regjimit dhe zgjeroi pushtimin e Lartësive të Golanit

Burak Dağ  | 08.12.2025 - Përdıtësım : 08.12.2025
Netanyahu hedh poshtë thirrjet për tërheqje nga territoret siriane të pushtuara nga Izraeli

Kuds/Stamboll

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të dielën se ushtria e vendit të tij nuk do të tërhiqet nga territoret që ka pushtuar në Sirinë jugore, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë ku morën pjesë ambasadorë izraelitë, krerët e misioneve dhe zyrtarë të Ministrisë së Jashtme, Netanyahu përsëriti se Izraeli nuk do të largohet nga zonat e pushtuara pas rënies së regjimit Baath në Siri më 8 dhjetor 2024.

"Ne duam t'i ruajmë këto asete", tha ai, duke iu referuar Jabal al-Sheikh (Mali Hermon) dhe zonës tampon ngjitur me Lartësitë e Golanit të pushtuara nga Izraeli, të cilat Izraeli i ka mbajtur që nga viti 1967.

Ai tha se Izraeli shpreson të arrijë një marrëveshje me administratën e Damaskut për çmilitarizimin e Sirisë jugore.

Sulmet ushtarake izraelite ndaj Sirisë u intensifikuan pas rënies së regjimit 61-vjeçar Baath më 8 dhjetor 2024, pasi përplasjet u përshkallëzuan më 27 nëntor.

Izraeli filloi të shkatërronte infrastrukturën ushtarake të lënë nga forcat e regjimit dhe zgjeroi pushtimin e Lartësive të Golanit sirian.

Forcat izraelite hynë në zonën tampon pranë Lartësive të Golanit dhe e shtynë pushtimin më tej, duke përparuar deri në 25 kilometra (15.5 milje) nga Damasku.

Izraeli ka pushtuar Lartësitë e Golanit të Sirisë që nga viti 1967. Një marrëveshje shkëputjeje e vitit 1974 midis Izraelit dhe Sirisë përcaktoi kufijtë për zonat tampon dhe të çmilitarizuara.

Ministri i Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani, tha më parë se nuk do të ketë marrëveshje me Izraelin derisa të tërhiqet nga territori sirian.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.