Bota

Negociatorët iranianë dhe amerikanë bëjnë një pushim, teksa vazhdon raundi i bisedimeve në Gjenevë

Ministri Al-Busaidi i Omanit, i cili po shërben si ndërmjetës, njoftoi në rrjetet sociale se seanca u ndërpre për një pushim, duke theksuar se të dyja palët sot shkëmbyen "ide kreative dhe pozitive"

Syed Zafar Mahdi  | 26.02.2026 - Përdıtësım : 26.02.2026
Negociatorët iranianë dhe amerikanë bëjnë një pushim, teksa vazhdon raundi i bisedimeve në Gjenevë

Stamboll

Ekipet negociatore të Iranit dhe SHBA-së kanë bërë një pushim nga raundi i tretë i negociatave indirekte mbi programin bërthamor dhe pritet të mblidhen sërish më vonë në Ambasadën e Omanit në Gjenevë, transmeton Anadolu.

Ministri i Punëve të Jashtme i Omanit, Badr Al-Busaidi, i cili po shërben si ndërmjetës, njoftoi në rrjetet sociale se seanca u ndërpre për një pushim, duke theksuar se të dyja palët sot shkëmbyen "ide kreative dhe pozitive".

Ai shtoi se bisedimet do të rifillojnë më vonë gjatë ditës, duke shprehur shpresën për "më shumë përparim". Autokolonat e të dyja palëve u panë duke u larguar nga vendtakimi rreth orës 13:15 me kohën lokale, gati tre orë e 30 minuta pasi raundi i fundit i bisedimeve kishte nisur zyrtarisht.

Sipas transmetuesit shtetëror iranian, të dyja palët do të rikthehen në vendtakim pasi të konsultohen me kryeqytetet e tyre përkatëse mbi mënyrën e vijimit, duke e bërë këtë raund më të gjatin nga tre raundet e zhvilluara deri më tani që nga rifillimi i diplomacisë muajin e kaluar mbi programin bërthamor të Iranit.

Sipas raportimeve iraniane, pavarësisht disa "qëndrimeve kontradiktore" të shprehura nga pala amerikane në media ditët e fundit, negociatat përparuan mirë sot. Ky raund bisedimesh indirekte nisi në orën 10:00 me kohën lokale në një nga ndërtesat e Ambasadës së Omanit në Gjenevë, nëntë ditë pas raundit të mëparshëm.

Ashtu si në raundet e mëparshme të mbajtura në Muskat dhe Gjenevë, delegacioni iranian u drejtua nga ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, ndërsa delegacioni amerikan u udhëhoq nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner.

Araghchi shoqërohej nga një delegacion ku përfshihej zëvendësi i tij për çështjet politike, Majid Takht-Ravanchi, si dhe një ekip ekspertësh bërthamorë, ligjorë dhe ekonomikë.

Menjëherë pas mbërritjes të mërkurën në mbrëmje, diplomati i lartë iranian u takua me homologun e tij nga Omani për të diskutuar kornizën e bisedimeve dhe një draft-propozim nga Teherani, çka shënoi në praktikë fillimin e raundit të tretë të negociatave indirekte.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi iu bashkua gjithashtu procesit të bisedimeve, si në raundin e kaluar, por kësaj here në rolin e vëzhguesit teknik. Sipas raportimeve mediatike, sot gjatë bisedimeve, ekipet negociatore iraniane dhe amerikane zhvilluan takime dhe konsultime të ndërsjella me ministrin e Jashtëm të Omanit dhe Grossin.

Ministria e Jashtme e Omanit deklaroi se të dyja palët treguan "hapje të paprecedentë" ndaj ideve të reja që synojnë arritjen e një marrëveshjeje.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.