Bota

Ndërhyrja në Venezuelë: Nga Grenlanda në Iran, si kërcënimet e Trumpit shtrihen në të gjitha kontinentet

Kapja e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro nga SHBA-ja gjatë fundjavës ka tërhequr vëmendjen ndaj përdorimit në rritje të kërcënimeve ushtarake ndaj vendeve të tjera nga presidenti amerikan Donald Trump

Rabia Ali  | 05.01.2026 - Përdıtësım : 05.01.2026
Ndërhyrja në Venezuelë: Nga Grenlanda në Iran, si kërcënimet e Trumpit shtrihen në të gjitha kontinentet

Stamboll

Kapja e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro nga SHBA-ja gjatë fundjavës ka tërhequr vëmendjen ndaj përdorimit në rritje të kërcënimeve ushtarake ndaj vendeve të tjera nga presidenti amerikan Donald Trump, raporton Anadolu.

Të shtunën, SHBA-ja nisi operacion "në shkallë të gjerë" kundër Karakasit dhe pasi kapi Maduron dhe gruan e tij Cilia Flores, forcat amerikane i transportuan ata me aeroplan në SHBA, ku pritet të përballen me akuza penale në një gjykatë në New York.

Rreth 80 persona u vranë në bastisjen amerikane, raportoi New York Times, duke cituar zyrtarë venezuelianë. Trump më vonë tha se do të ushtrojë kontrollin amerikan mbi vendin për momentin, me trupa amerikane nëse është e nevojshme.

Që nga kthimi në detyrë janarin e kaluar, presidenti i SHBA-së ka lëshuar vazhdimisht kërcënime kundër disa vendeve, duke përmendur arsye të tilla si siguria kombëtare, droga, protestat publike dhe rivaliteti me Kinën dhe Rusinë.

Ja një listë e vendeve që Trumpi kërcënoi ose paralajmëroi gjatë vitit të tij të parë në detyrë si president i SHBA-së.


- Grenlanda

Menjëherë pas marrjes së detyrës, Trumpi kërkoi përsëri kontrollin e SHBA-së mbi Grenlandën, një territor danez vetëqeverisës dhe anëtar i NATO-s.

Të dielën, ai përsëriti kërkesën e tij, duke thënë se SHBA-ja ka nevojë për Grenlandën për arsye sigurie kombëtare, duke përmendur atë që ai e përshkroi si një prani të shtuar ruse dhe kineze rreth vendit ishullor të vendosur strategjikisht.

Duke folur me gazetarët në bordin e "Air Force One", Trumpi tha se Grenlanda është "shumë strategjike" dhe pretendoi se aktualisht është e rrethuar nga anije ruse dhe kineze. "Ne kemi nevojë për Grenlandën, nga pikëpamja e sigurisë kombëtare dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë", tha ai kur u pyet për ndonjë veprim të mundshëm të SHBA-së kundër Grenlandës.

Trump argumentoi se kontrolli i SHBA-së mbi Grenlandën do t'u shërbejë interesave më të gjera perëndimore, duke shtuar se "BE-ja ka nevojë që ne ta kemi atë nga pikëpamja e sigurisë".

Grenlanda, ishulli më i madh në botë, ka qenë territor autonom i Danimarkës që nga viti 1979.

Pas komenteve të fundit të Trumpit, kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen i kërkoi atij të "ndalojë kërcënimet", duke thënë: "SHBA-ja nuk ka të drejtë të aneksojnë asnjë nga tre vendet në mbretërinë daneze".


- Kolumbia

Në prag të sulmeve ndaj Venezuelës, Trumpi e akuzoi shpesh Karakasin si përgjegjës për drogën e paligjshme që hynte në SHBA. Pas veprimeve ushtarake në Venezuelë, presidenti amerikan lëshoi paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj presidentit kolumbian Gustavo Petro, duke e akuzuar atë si trafikant droge.

Duke folur me gazetarët në bordin e "Air Force One", kur u pyet për një operacion të mundshëm kundër Kolumbisë, Trumpi tha: "Më duket mirë".

Trumpi e quajti presidentin kolumbian, Gustavo Petro si një njeri "shumë të sëmurë". "Ai është një njeri i sëmurë që i pëlqen të bëjë kokainë dhe ta shesë atë në SHBA".

"Ai ka punishte dhe fabrika kokaine dhe nuk do ta bëjë këtë për shumë kohë", shtoi Trumpi.

Ndërkohë, Petro ka mohuar pretendimet e Trumpit, duke thënë se emri i tij nuk shfaqet në dosjet gjyqësore mbi trafikimin e drogës gjatë 50 viteve, as më parë dhe as tani.

"Ndaloni së shpifuri ndaj meje, z. Trump", shkroi Petro në platformën e mediave sociale X.


- Kuba

Pas ndërhyrjes së SHBA-së në Venezuelë, Trump foli edhe për Kubën, duke ngritur frikën e një veprimi të ngjashëm.

Të shtunën, ai e përshkroi vendin ishullor si "një vend në dështim" dhe kritikoi udhëheqjen e tij për atë që e quajti dekada të tëra kolapsi ekonomik dhe vuajtjesh.

"Njerëzit atje kanë vuajtur për shumë, shumë vite dhe mendoj se Kuba do të jetë diçka për të cilën do të flasim në fund", tha ai.

"Ne duam t'i ndihmojmë njerëzit në Kubë, por gjithashtu duam t'i ndihmojmë njerëzit që u detyruan të largohen nga Kuba dhe ata që jetojnë në këtë vend", theksoi Trump.


- Irani

Trumpi ka lëshuar vazhdimisht kërcënime ndaj Iranit, ndërsa kërcënimet e tij të fundit i bëri të premten lidhur me protestat e vazhdueshme në vend, të cilat kanë shpërthyer mes përkeqësimit të kushteve ekonomike.

Presidenti amerikan tha se do të "vinte në ndihmë" të protestuesve iranianë që kanë dalë në rrugë ditët e fundit. "Nëse Irani qëllon dhe vret me dhunë protestuesit paqësorë, gjë që është zakon i tyre, SHBA-ja do të vijë në ndihmë të tyre. Ne jemi të armatosur dhe gati për të vepruar", tha ai.

Zyrtarët iranianë reaguan fuqishëm ndaj kërcënimit, me zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, i cili tha se iranianët nuk do të lejojnë ndërhyrje të huaja dhe do t'i zgjidhin problemet e tyre "përmes dialogut dhe angazhimit".

Muajin e kaluar, Trumpi në takimin e tij të fundit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu tha se do të mbështeste një sulm izraelit ndaj Iranit nëse Teherani rifillon programin e tij bërthamor, duke paralajmëruar se do t'i "shpërthente në palcë".

"Tani dëgjoj se Irani po përpiqet të ndërtojë përsëri. Dhe nëse po, do të na duhet t'i rrëzojmë", tha Trump duke shtuar se ka dëgjuar që Teherani dëshiron të negociojë një marrëveshje me Washingtonin.

Gjatë një lufte 12-ditore midis Izraelit dhe Iranit në qershor të vitit të kaluar, SHBA-ja shënjestroi tre objekte të mëdha bërthamore iraniane, përfshirë Fordon, Natanzin dhe Isfahanin, duke përdorur bomba bunker-shkatërruese.

Ndërsa një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-ja midis Teheranit dhe Tel Avivit ka qenë në fuqi që nga qershori, tensionet kanë vazhduar të ziejnë. Sipas disa raporteve, një raund i ri i mundshëm sulmesh ndaj programeve të raketave dhe raketave balistike të Iranit ka qenë ndër temat kryesore të diskutuara gjatë takimit të Netanyahut me Trumpin.


- Meksika

Trumpi kohët e fundit ka akuzuar Meksikën se drejtohet nga kartelet e drogës, duke thënë se "diçka" duhet bërë me vendin. Duke folur për "Fox News" të shtunën, ai tha se "kartelet po drejtojnë Meksikën".

Trumpi pretendon se kishte ofruar vazhdimisht ndihmën e vendit të tij në ndërmarrjen e veprimeve kundër karteleve të drogës që veprojnë në Meksikë.

"Por, ata hyjnë kryesisht përmes kufirit jugor. Dhe diçka do të duhet të bëhet me Meksikën", shtoi Trumpi.


- Panamaja

Janarin e kaluar, Trumpi la të kuptohej se do të merrte kontrollin e Kanalit të Panamasë pasi akuzoi Panamanë për keqmenaxhim të kanalit dhe për lejimin e Kinës të fitonte ndikim mbi operacionet e saj.

"Ne jemi trajtuar shumë keq nga kjo dhuratë e pamend që nuk duhej të ishte bërë kurrë", tha ai gjatë një fjalimi.

"Mbi të gjitha, Kina po operon Kanalin e Panamasë. Dhe ne nuk ia dhamë Kinës. Ne ia dhamë Panamasë dhe po e marrim përsëri", tha Trumpi.


- Kanadaja

Trumpi në janar promovoi idenë që Kanadaja të bëhej shteti i 51-të i SHBA-së

Duke pretenduar se shumë kanadezë e mbështesin propozimin e tij, në janar të vitit të kaluar ai mbrojti idenë e tij se ky veprim do të sillte stabilitet ekonomik në Kanada dhe do ta mbronte atë nga kërcënimet e jashtme të perceptuara, përfshirë "anijet ruse dhe kineze".

Në shtator, Trumpi sërish deklaroi se Kanadaja duhet të marrë në konsideratë bashkimin me SHBA-në si shteti i 51-të.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.