Ndihmësi i Putinit thotë se Rusia është gati të fillojë shkëmbimin e të burgosurve me Ukrainën më 7-9 qershor
“Ne supozojmë se ndoshta do të jenë 1.200 persona nga secila palë, dhe ky do të jetë përsëri shkëmbimi më i madh i të burgosurve të luftës”, tha Vladimir Medinsky

Istanbul
Ndihmësi i presidentit rus, Vladimir Medinsky, tha sot se Moska është gati që më 7-9 qershor të kryejë një shkëmbim të burgosurish me Ukrainën, për të cilin u ra dakord gjatë bisedimeve të drejtpërdrejta për paqe në Stamboll në fillim të kësaj jave, transmeton Anadolu.
“Ne supozojmë se ndoshta do të jenë 1.200 persona nga secila palë, dhe ky do të jetë përsëri shkëmbimi më i madh i të burgosurve të luftës. Ne jemi gati të fillojmë, më 7, 8, 9 qershor. Ne, nga ana jonë, jemi plotësisht të gatshëm për këtë”, tha Medinsky ndërsa informoi presidentin Vladimir Putin mbi bisedimet e mbajtura në metropolin turk.
Medinsky, i cili udhëhoqi delegacionin e Rusisë gjatë negociatave të hënën, tha se gjatë bisedimeve përcollën qëndrimin e Putinit se një takim i udhëheqësve me Ukrainën është i mundur.
“Por kjo duhet të përpunohet në mënyrë thelbësore me rezultate, pasi krerët e shteteve nuk duhet të përpunojnë detajet e marrëveshjes, por t’i miratojnë ato, domethënë, të marrin vendime përfundimtare për çështje të përgatitura dhe të dakordësuara më parë”, tha ai.
Ai tha se Ukraina përcolli qëndrimin e saj, i cili është të fillojë me një armëpushim pa kushte dhe të përgatitet për një samit të udhëheqësve.
Medinsky tha se pala ruse është gjithashtu e gatshme të transferojë trupat e 6.000 ushtarakëve ukrainas në Kiev “në ditët në vijim” dhe të marrë ato të ushtarakëve rusë.
Të hënën, Stambolli priti raundin e dytë të bisedimeve për paqe Rusi-Ukrainë pas atij të parë, gjithashtu në metropolin turk, më 16 maj. Këtë herë, palët ranë dakord të shkëmbejnë më shumë të burgosur lufte – duke u përqendruar te më të rinjtë dhe më të plagosurit rëndë – dhe të kthejnë trupat e 6.000 ushtarëve nga secila palë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.