"Ndërprerja e fondeve të USAID-it mund të shkaktojë 14 milionë vdekje shtesë në nivel global brenda 5 viteve"
Studiues nga universitete të ndryshme hulumtuan ndikimin që shkakton mbi njerëzit që jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta, ndërprerja e fondeve të USAID-it, i cili ofron ndihmë humanitare dhe zhvillimore në të gjithë botën

Ankara
Hulumtuesit kanë pretenduar se ndërprerja e fondeve për Agjencinë e Departamentit të Shtetit për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump filloi detyrën, mund të çojnë në 14 milionë vdekje shtesë në nivel global brenda pesë viteve, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të "New York Times" (NYT), studiues nga universitete të ndryshme në Evropë hulumtuan ndikimin që shkakton mbi njerëzit që jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta, ndërprerja e fondeve të USAID-it, i cili ofron ndihmë humanitare dhe zhvillimore në të gjithë botën.
Shkencëtarët vlerësuan dy skenarë në studim, një në të cilin vazhdojnë nivelet e financimit të vitit 2023 dhe tjetri për skenarin e njoftuar nga administrata e Trumpit në të cilin janë anuluar 83 për qind e programeve të USAID-it.
Në rastin e skenarit të dytë, studiuesit argumentuan se nëse shkurtimet vazhdojnë, 14 milionë njerëz të tjerë mund të vdesin deri në vitin 2030, përfshirë 4,5 milionë fëmijë nën moshën 5 vjeç. Hulumtimi tregon se te vendet që marrin fonde nga USAID është vërejtur ulje prej 65 për qind të vdekjeve nga HIV/AIDS, ulje prej 51 për qind të vdekjeve nga malaria dhe ulje prej 50 për qind të vdekjeve nga sëmundjet tropikale.
Koordinatori i studimit dhe profesor në Institutin e Barcelonës për Shëndetin Global, Davide Rasella në një e-mail drejtuar NYT-së tha: "Ndërprerja e papritur e financimit të USAID-it dëmton seriozisht imazhin e SHBA-së në botë".
Ndërsa Jonas Gamso, profesor në Universitetin Shtetëror të Arizonës i cili hulumton ndihmën e huaj, tha se vlerësimi i shifrave të tilla "gjithmonë përfshin njëfarë pasigurie dhe këto gjetje duhet të interpretohen me një shkallë kujdesi, veçanërisht duke pasur parasysh shumë faktorë kompleksë që mund të kontribuojnë në të dhënat shëndetësore".
Rezultatet e studimit u botuan në revistën "The Lancet".