"NATO është e pathyeshme": Rutte thotë se uniteti i aleancës zmbraps çdo sulm të mundshëm
“NATO është e gatshme, e vullnetshme dhe e aftë të bëjë çfarëdo që duhet për t’u mbrojtur”, tha shefi i aleancës ushtarake
Bruksel
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha sot se forca kolektive e aleancës e bën atë “absolutisht të pathyeshme”, duke shprehur besim se askush nuk do të guxojë të sulmojë ndonjë vend anëtar të NATO-s, raporton Anadolu.
Nëse ky vend do të ishte nën sulm, do të kishte “31 shtete të tjera që do t’i vinin në ndihmë Rumanisë. Kështu funksionon NATO”, tha Rutte në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin rumun Nicusor Dan në Bukuresht.
“Dhe mendoj se kjo na bën të pathyeshëm, absolutisht të pathyeshëm. Dhe pikërisht për këtë besoj se askush nuk do të provojë kurrë”, shtoi ai.
Rutte theksoi se Rumania ka qenë një “aleat i palëkundur dhe i vlerësuar”, duke ofruar lidership në rajonin strategjikisht jetik të Detit të Zi. Ai vlerësoi Rumaninë, Bullgarinë dhe Turqinë për përpjekjet e përbashkëta për të zgjeruar operacionet e çminimit dhe patrullimit në zonë.
Ai tha se vigjilenca e NATO-s mbetet e lartë mes hyrjeve të përsëritura të dronëve rusë në hapësirën ajrore rumune.
“NATO i merr këto incidente jashtëzakonisht seriozisht dhe ne do të mbetemi vigjilentë. Parandalimi është themeli i mbrojtjes sonë dhe kështu ne po e bëjmë shumë të qartë se NATO është e gatshme, e vullnetshme dhe e aftë të bëjë çfarëdo që duhet për t’u mbrojtur”, theksoi Rutte.
Duke iu referuar vendimit të fundit të Washingtonit për të reduktuar praninë e trupave në disa vende të krahut lindor, përfshirë Rumaninë, Rutte minimizoi shqetësimet, duke thënë se rregullime të tilla janë rutinë.
“Shtetet e Bashkuara kanë një prani të madhe në Evropë, dhe ajo prani është aty … Këto rregullime ndodhin. Ju lutem mos i jepni shumë rëndësi kësaj”, u shpreh ai.
Rutte gjithashtu vuri në dukje bashkëpunimin në rritje mes NATO-s dhe BE-së për teknologjitë kundër dronëve, duke i përshkruar përpjekjet e tyre si “një kombinim i fuqishëm”.
Nga ana e tij, lideri rumun tha se vendi do të vazhdojë të investojë në mbrojtje dhe mbetet i përkushtuar për forcimin e krahut lindor të NATO-s.
Bukureshti po pret Forumin e Industrisë së NATO-s 2025 më 5-6 nëntor, duke mbledhur udhëheqës të aleancës dhe përfaqësues të industrisë së mbrojtjes për të diskutuar rritjen e prodhimit të mbrojtjes, inovacionit dhe bashkëpunimit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
