NATO: Aleatët evropianë do të marrin një rol më të spikatur në strukturën komanduese
Një deklaratë me shkrim u publikua nga NATO në lidhje me marrëveshjen e re të cilën e përshkruan si pjesë të një ndryshimi drejt një ndarjeje më të barabartë të përgjegjësive brenda NATO-s
Bruksel
NATO njoftoi se aleatët kanë rënë dakord për një shpërndarje të re të përgjegjësive të larta ushtarake brenda Strukturës së Komandës së NATO-s, duke deklaruar se "aleatët evropianë, përfshirë anëtarët më të rinj, do të marrin një rol më të spikatur në udhëheqjen ushtarake të Aleancës", transmeton Anadolu.
Një deklaratë me shkrim u publikua nga NATO në lidhje me marrëveshjen e re të cilën e përshkruan si pjesë të një ndryshimi drejt një ndarjeje më të barabartë të përgjegjësive brenda NATO-s.
Marrëveshja parashikon që aleatët evropianë të marrin një rol më të madh udhëheqës brenda Strukturës së Komandës së NATO-s, thuhet në deklaratën ku theksohet se "(Marrëveshja) gjithashtu demonstron angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së ndaj strukturës së komandës dhe kontrollit të NATO-s, duke përfshirë ruajtjen e rolit të Komandantit Suprem të Forcave Aleate për Evropën (SACEUR)".
Më tej deklarata vë në dukje se Mbretëria e Bashkuar do të marrë përsipër Komandën e Forcave të Përbashkëta të Norfolkut, aktualisht të komanduar nga SHBA-ja, ndërsa Italia do të marrë komandën e Komandës së Forcave të Përbashkëta të Napolit, gjithashtu aktualisht të udhëhequr nga SHBA-ja.
Pasi bëhet e ditur se Gjermania dhe Polonia do të drejtojnë me radhë Komandën e Forcave të Përbashkëta të Brunssum, në deklaratë njoftohet se "Me këtë marrëveshje, të tre Komandat e Forcave të Përbashkëta që ofrojnë udhëheqje në nivel operacional në situata krize dhe konflikti do të drejtohen nga evropianët".
Ndër të tjera thuhet se gjithashtu se SHBA-ja do të marrë përgjegjësinë për Komandën Detare Aleate përveç Komandës Tokësore Aleate dhe Komandës Ajrore Aleate, të cilat aktualisht i komandon. "Këto ndryshime do të zbatohen gradualisht në vitet e ardhshme, në përputhje me afatin aktual të rotacionit të personelit", thekson deklarata.
