Në Moskë mbahen bisedime SHBA-Rusi për zgjidhjen e luftës në Ukrainë
Përfaqësuesit amerikanë Steve Witkoff, Jared Kushner dhe Josh Gruenbaum u takuan në Moskë me presidentin Vladimir Putin, këshilltarin e tij për çështje ndërkombëtare Yury Ushakov dhe të dërguarin presidencial Kirill Dmitriyev
Moskë
Të enjten në Kremlin, Moskë, nisën bisedimet mes Rusisë dhe SHBA-së, lidhur me një zgjidhje të mundshme të luftës në Ukrainë, transmeton Anadolu.
Nga pala ruse të pranishëm ishin presidenti Vladimir Putin, këshilltari i tij për çështje ndërkombëtare Yury Ushakov dhe i dërguari presidencial Kirill Dmitriyev.
Delegacioni amerikan, krahas të dërguarit special Steve Witkoff dhe dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, përfshin për herë të parë edhe komisarin e Shërbimit Federal të Prokurimit, Josh Gruenbaum.
“Ky është Josh”, i tha Witkoff Putinit në fillim të takimit.
Avioni që transportonte Witkoffin dhe Kushnerin u ul në aeroportin “Vnukovo” të Moskës në orën 22:40 sipas kohës lokale.
Sipas Kremlinit, delegacioni amerikan do të diskutojë me Putinin opsione që synojnë përfundimin e luftës.
Duke folur më herët në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, Witkoff tha se ai dhe Kushner do të udhëtojnë drejt Abu Dhabit pas bisedimeve në Moskë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se bisedimet e para trepalëshe mes Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës janë planifikuar të mbahen në Emiratet e Bashkuara Arabe të premten dhe të shtunën.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
