Bota

Në 24 orët fundit në Gaza vdesin nga uria 5 persona të tjerë

Numri i personave që kanë vdekur nga uria në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, është rritur në 404, prej të cilëve 141 janë fëmijë.

Muhammed Emin Canik  | 10.09.2025 - Përdıtësım : 10.09.2025
Në 24 orët fundit në Gaza vdesin nga uria 5 persona të tjerë

Stamboll

Në 24 orët e fundit, 5 palestinezë të tjerë kanë vdekur në Rripin e Gazës nga uria që po përjetohet për shkak të sulmeve dhe bllokadës izraelite, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza u ndanë informacionet e fundit mbi ata që kanë vdekur nga uria.

Në deklaratë thuhet se 5 palestinezë të tjerë kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja në 24 orët e fundit.

Numri i personave që kanë vdekur nga uria në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, është rritur në 404, prej të cilëve 141 janë fëmijë.

Që nga 22 gushti kur Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) i mbështetur nga Kombet e Bashkuara (OKB) shpalli zi buke në qytetin e Gazës thuhet se nga uria dhe kequshqyerja kanë humbur jetën 126 persona, prej të cilëve 26 janë fëmijë.

IPC shpalli "situatën e urisë" në qytetin e Gazës dhe njoftoi se kjo mund të përhapet edhe në qytetet Deir Al-Balah dhge Khan Younis deri në fund të shtatorit.

Gaza po vdes nga uria

Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe një rrethimi të rreptë që kufizon hyrjen e ndihmës humanitare, po përjeton katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe materialesh higjienike.

Vdekjet nga uria, veçanërisht midis fëmijëve, po rriten në Rripin e Gazës. Qarqet lokale dhe ndërkombëtare thonë se Izraeli përdor "urinë dhe etjen si armë".

Ushtria izraelite, e cila ka shkatërruar 88 për qind të Rripit të Gazës duke shkatërruar edhe infrastrukturën civile, shpesh synon palestinezët e zhvendosur me urdhër dëbimi në zonat ku ata janë strehuar.

Raportohet se numri i njerëzve të zhvendosur nga sulmet dhe urdhrat e deportimit izraelit në Gaza, e cila ka një popullsi prej afërsisht 2.3 milionë banorësh, ka arritur në 2 milionë dhe shumë njerëz janë zhvendosur disa herë.

Të privuar nga furnizimet bazë, palestinezët e zhvendosur përpiqen të mbijetojnë në tenda të improvizuara ose në shkolla të mbipopulluara ku furnizimet higjienike janë të pakta dhe sëmundjet infektive janë të përhapura.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın