Bota

Murtezani pas takimit me homologun irlandez: Nuk ekziston Evropë stabile pa integrimin e Ballkanit Perëndimor

- Murtezani tha se takimi i sotëm është vazhdimësi e bisedimeve që janë mbajtur një muaj më parë në Dublin, në frymën e "partneritetit, mirëkuptimit dhe orientimit të përbashkët për Evropë të bashkuar"

Shpetim Hiseni  | 30.07.2025 - Përdıtësım : 31.07.2025
Murtezani pas takimit me homologun irlandez: Nuk ekziston Evropë stabile pa integrimin e Ballkanit Perëndimor Foto: Umeys Sulejman / AA

Shkup

SHKUP (AA) - Ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, takoi sot në Shkup ministrin irlandez për Çështje Evropiane dhe Mbrojtje, Thomas Byrne, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media pas takimit, Murtezani tha se takimi i sotëm është vazhdimësi e bisedimeve që janë mbajtur një muaj më parë në Dublin, në frymën e "partneritetit, mirëkuptimit dhe orientimit të përbashkët për Evropë të bashkuar".

"Qëndrimet dhe mesazhet tona të përbashkëta qëndrojnë të njëjta. Zgjerimi i Bashkimit Evropian është çështje e sigurisë, stabilitetit dhe vizionit të përbashkët. Nuk ekziston Evropë stabile pa integrimin e Ballkanit Perëndimor, nuk ekziston union i vërtetë pa politikë të bashkuar për fqinjësinë", tha Murtezani.

Ai tha se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në këtë rrugë me reforma, rezultate konkrete dhe me dialog të hapur, duke shtuar se secili vend kandidat duhet të vlerësohet në bazë të meritave dhe të mos jetë peng i çështjeve bilaterale dhe bllokadave politike.

Murtezani tha se Irlanda si anëtare e BE-së është zë i arsyes dhe barazisë kur bëhet fjalë për procesin e zgjerimit, ndërsa e vlerësoi mbështetjen e Irlandës, duke shtuar se besojnë që Presidenca e Irlandës me Këshillin e BE-së në vitin 2026 do të jetë mundësi shtesë për thellimin e perspektivës evropiane të rajonit.

Ndërkaq, ministri irlandez Byrne tha se midis dy vendeve ka marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale dhe se ka pasur angazhime të mira të nivelit të lartë në vitet e fundit.

Ai theksoi se gjatë Presidencës së vendit me Këshillin e BE-së, procesi i zgjerimit do të jetë prioritet i rëndësishëm.

"Zgjerimi i BE-së do të jetë prioritet do të jetë prioritet i rëndësishëm për ne. Do të thotë, ta bëjmë real procesin e zgjerimit, t'i bindim të gjithë qytetarët, qofshin tanët apo të vendeve anëtare të BE-së, mbi benefitet e vërteta të zgjerimit", tha Byrne, duke shtuar se Irlanda ka qenë gjithmonë mbështetëse e fortë e zgjerimit të BE-së.


- Kriza humanitare në Gaza

Në sesionin e pyetjeve, ministrat u pyetën mbi krizën humanitare në Rripin e Gazës, konkretisht nëse Irlanda gjatë Presidencës së Këshillit të BE-së do të ndërmarrë iniciativë për njohje të Shtetit të Palestinës si politikë e përbashkët e jashtme e BE-së dhe nëse çështja e Gazës është diskutuar edhe me ministrin Murtezani.

Byrne tha se situata në Gaza është e padurueshme dhe katastrofike dhe kërkon asistencë urgjente humanitare dhe rritje të ndihmave humanitare.

Ai kujtoi se Irlanda, së bashku me Spanjën dhe Norvegjinë, e ka njohur Palestinën më shumë se një vit më parë dhe tha se avantazhi i BE-së duhet të përdoret për të bindur vendet e tjera se ajo që po ndodh atje është aq e keqe saqë është e nevojshme të ndërmerren veprime urgjente.

"Ajo që duam të shohim është dy shtete, Izraeli dhe Palestina, duke jetuar përkrah njëri-tjetrit në paqe dhe siguri. Kjo ka qenë ambicia jonë për rajonin dhe është një ambicie e thjeshtë që kemi vazhduar ta ndjekim", tha Byrne.

Ndërkaq, Murtezani tha se e gjithë bota po mobilizohet sepse situata në Gaza është alarmante dhe se vendi, "sado i vogël", nuk mund të jetë imun ndaj një trendi të tillë.

"Veçanërisht nëse ai zhvillohet në një politikë të përbashkët sigurie dhe të jashtme të BE-së. Ne, si 100 për qind të përafruar me atë politikë, do të duhet të ndjekim të njëjtin hap", tha ministri Murtezani.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.