Bota

Moti i stuhishëm rëndon edhe më shumë gjendjen e të zhvendosurve në Gaza

Familjet e zhvendosura që jetojnë në tenda në Khan Younis përballen me kushte të vështira të motit dhe kanë frikë se përsëri do të përjetojnë vështirësitë e vitit të kaluar, pasi shiu ka përmbytur shumë tenda

Abdulbesar Ademi  | 16.11.2025 - Përdıtësım : 16.11.2025
Moti i stuhishëm rëndon edhe më shumë gjendjen e të zhvendosurve në Gaza Foto: Abed Rahim Khatib/AA

Gaza

Mijëra familje palestineze që humbën shtëpitë e tyre në dy vjet sulmesh izraelite në Rripin e Gazës e kalojnë dimri në tenda në kushte të vështira për jetesë, raporton Anadolu.

Katër javë pas armëpushimit, ndihma e kufizuar që arrin në zonë ka arritur të zgjidhë vetëm një pjesë të problemeve të palestinezëve.

Familjet e zhvendosura që jetojnë në tenda në Khan Younis përballen me kushte të vështira të motit dhe kanë frikë se përsëri do të përjetojnë vështirësitë e vitit të kaluar, pasi shiu ka përmbytur shumë tenda.

Që nga e premtja, Rripi i Gazës ka qenë nën ndikimin e një sistemi presioni të ulët të shoqëruar nga një masë ajri i ftohtë dhe reshje të dendura të shiut, duke i shtuar vuajtjet e 1.5 milionë të zhvendosurve në enklavën e shkatërruar nga lufta.

Sipas vlerësimeve të zyrës për media të qeverisë në Gaza, 93 për qind e të gjitha tendave të të zhvendosurve nuk janë më të përshtatshme për strehim, respektivisht 125 mijë nga gjithsej 135 mijë, për shkak të faktorëve të motit dhe dëmeve të pësuara nga bombardimet izraelite.

Izraeli vazhdon të bllokojë hyrjen e materialeve për strehim, siç janë tendat dhe shtëpitë mobile, duke mos i përmbushur detyrimet sipas marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor.

Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli në sulmet në Gaza ka vrarë të paktën 69 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe e ka kthyer enklavën në rrënoja.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.