Moska kërkon që SHBA-ja të garantojë të drejtat e ekuipazhit rus në cisternën e sekuestruar
“Rusia kërkon që SHBA-ja të garantojë trajtim njerëzor dhe dinjitoz të qytetarëve rusë në anijen Marinera dhe të respektojë të drejtat dhe interesat e tyre”, tha ministria ruse
Stamboll
Rusia i ka bërë thirrje SHBA-së të garantojë sigurinë dhe kthimin e menjëhershëm të qytetarëve të saj pasi forcat detare amerikane sekuestruan cisternën me flamur rus Marinera në Atlantikun e Veriut, transmeton Anadolu.
“Rusia kërkon që SHBA-ja të garantojë trajtim njerëzor dhe dinjitoz të qytetarëve rusë në anijen Marinera dhe të respektojë të drejtat dhe interesat e tyre”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë për agjencinë shtetërore të lajmeve Tass.
Sipas Ministrisë së Transportit së Rusisë, komunikimi me anijen u ndërpre rreth orës 15:00 me kohën lokale, në momentin kur forcat detare amerikane hipën në bord në “det të hapur, jashtë ujërave territoriale të çdo shteti”.
Ministria ruse theksoi se anija Marinera kishte marrë një leje të përkohshme për të lundruar nën flamurin shtetëror rus më 24 dhjetor të vitit 2025, në përputhje me ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Zyrtarët në Moskë e dënuan veprimin si shkelje të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982, duke argumentuar se në ujërat e hapura zbatohet “regjimi i lirisë së lundrimit” dhe se “asnjë shtet nuk ka të drejtë të përdorë forcë kundër anijeve të regjistruara rregullisht nën juridiksionin e shteteve të tjera”.
Deklarata vjen pas konfirmimit nga zyrtarët amerikanë se anija, e njohur më parë si M/V Bella 1, është sekuestruar për shkelje të dyshuara të sanksioneve që synojnë naftën venezuelase.
Më herët, shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, deklaroi se bllokada ndaj “naftës venezuelase të sanksionuar dhe të paligjshme mbetet plotësisht në fuqi”, ndërsa sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e përshkroi ndryshimin e fundit të flamurit të anijes si një “përpjekje të dëshpëruar dhe të dështuar” për t’iu shmangur zbulimit.
Ndërhyrja ndaj cisternës ndodh në një kohë tensionesh të shtuara, pas ndërhyrjes së fundit ushtarake amerikane në Karakas dhe kapjes së presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
