Mjekja norvegjeze me origjinë turke, Nil Ekiz pamjet në Gaza i përshkroi me një film horror
"Në Gaza, gjëja e parë që më shkoi ndërmend kur hyra ishte se kishte shpërthyer ferri. Isha brenda në një film të vërtetë horror", tha mjekja Nil Ekiz
Ankara
MEHMET ŞAH YILMAZ
Mjekja norvegjeze me origjinë turke, Nil Ekiz, i përshkroi skenat në Gaza me një film të vërtetë horror.
Përmes një organizate norvegjeze, Ekiz punoi në shtator për një muaj në spitalin "Nasser" në qytetin Khan Younis të Rripit të Gazës. Duke iu referuar udhëtimit të saj në Gaza, Ekiz tha për Anadolu se u takua me një organizatë norvegjeze dhe më pas arriti të hynte në Gaza në shtator me një ekip mjekësor prej katër personash, përfshirë edhe veten.
"Ne hymë në Gaza mbrëmjen e 2 shtatorit. Gjëja e parë që pashë ishin shtëpitë, automjetet dhe rrënojat nga bombardimet. Fëmijët që dëgjuan automjetin tonë erdhën duke vrapuar, duke treguar gojën e tyre, duke u përpjekur të thonin 'Kemi uri'. Ndërsa i afroheshim Khan Younis-it, filluan qytetet me tenda, kudo ishte plot. Nuk kishte ndërtesa të forta, ishin të gjitha të shkatërruara", tha Ekiz.
Ajo vuri në dukje se spitali "Nasser" ka një kapacitet prej 340 personash.
"Kishte mbi 800 pacientë në spitalin me 340 shtretër. Njerëzit ishin shtrirë në dysheme, nëpër shkallë, para ashensorëve, në korridore. Disa kishin shtretër, por kryesisht ishin të shtrirë në dysheme. Shumica e pacientëve ishin të plagosur nga plumbat, shrapnelat ose bombat. Nuk kishte pacientë që shohim në spitalet e rregullta. Për shembull, nuk kishte pacientë me sëmundje të zemrës, pacientë me kancer ose diabetikë. Ata po vdisnin në tendat e tyre", tha Ekiz.
Mjekja tha se gjatë kohës së saj në spital, punoi kryesisht në sallat e operacionit ndërsa ilaçet dhe furnizimet mjekësore ishin shumë të pamjaftueshme.
"Edhe ilaçet më bazë të anestezisë nuk ishin të disponueshëm, madje edhe ato që ishin, ishin të pamjaftueshme. Edhe qetësuesit e thjeshtë të dhimbjeve pas operacionit të tillë si paracetamoli ishin në mungesë. Pacientët kishin dhimbje të forta pas operacionit, duke bërtitur nga dhimbja", tha Ekiz e cila shtoi se pacientët ishin të detyruar të dilnin nga spitali për shkak të kufizimeve të hapësirës pas operacionit dhe se pacientët që duhet të qëndronin në spital dërgoheshin në tendat e tyre.
- "Kishte shumë fëmijë të qëlluar në kokë në njësinë e kujdesit intensiv"
Ekiz tha se kishte folur me një specialist mjeko-ligjor i cili kryente autopsi në Gaza. "Fola me specialistin mjeko-ligjor. Ai më tha se 'rreth 30 për qind e të vdekurve ishin fëmijë'. Pra, 300 nga 1.000 njerëzit e vrarë ishin fëmijë. Fëmija më i vogël që pashë ishte një vajzë 6 muajshe. Ajo ishte qëlluar në mushkëri dhe plumbi i kishte depërtuar deri në bark. Ne e operuam, por nuk mundëm ta shpëtonim. Ajo ishte vetëm 6 muajshe. Kishte shumë fëmijë të qëlluar në kokë në njësinë e kujdesit intensiv. Këta ishin fëmijë të vegjël, të moshës 3, 5 dhe 7 vjeç. Kishte edhe shumë të rinj (të qëlluar në kokë)", thotë ajo.
Në vazhdim, Ekiz thotë se shumica e të qëlluarve ishin duke shkuar drejt pikave të shpërndarjes së ushqimit dhe se sipas dëshmitarëve, ushtarët izraelitë i kishin shënjestruar qëllimisht zonat e shpërndarjes së ushqimit. Sipas saj, numri i njerëzve të sjellë në spital ishte veçanërisht i lartë gjatë orarit të shpërndarjes së ushqimit.
Ajo theksoi se mjekët dhe infermierët në Gaza jetojnë në tenda, shumë prej të cilëve kanë humbur 15-20 kilogramë. "Punonjësit e kujdesit shëndetësor janë të uritur dhe pa ujë. Ndonjëherë ata i vendosnin vetes së tyre injeksione intravenoze (sesrume) për të mbijetuar. Shumë prej tyre kanë humbur familjet dhe fëmijët e tyre, megjithatë ata vazhdojnë të punojnë. Motivimi i tyre i vetëm është të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe njerëzit e tyre. Pagat e tyre ishin minimale ose pothuajse fare, ata dërgonin në shtëpi çfarëdo ushqimi që mundeshin të merrnin nga spitali", tha Ekiz.
Mjekja tha se shumë histori nga Gaza e kanë prekur thellë dhe se nuk mund ta harrojë momentin kur babai i një djali 11 ose 12-vjeçar që ishte qëlluar në kokë iu lut me fjalët: "Të lutem dërgoje në Norvegji, shpëtoni fëmijën tim".
"Nëse do të mundja, do ta bëja, por ishte e pamundur. Disa ditë më vonë, djali vdiq. Ky dëshpërim ishte shumë i rëndë", u shpreh Ekiz.
Më tej ajo tha se mjedisi johigjienik, mungesat e ushqimit dhe infeksionet e përhapura krijonin kushte të cilat e bënin të nevojshme që shumë pacientë të operuar më parë të bëheshin sërish operacion. "Plagët e fëmijëve, veçanërisht atyre të qëlluar në bark, nuk shëroheshin. Zorrët e tyre nuk shëroheshin siç duhet dhe ata infektoheshin. Kjo është arsyeja pse na u desh të kryenim operacione të përsëritura", tha ajo.
Lidhur me faktin nëse shënjestrimi i fëmijëve në sulmet izraelite ishte zgjedhje e qëllimshme, Ekiz tha: "Nuk e kam parë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por kur shikon rastet e mbërritura në spital, mendon se nuk është rastësi. Gati një e treta e vdekjeve ishin fëmijë. Një shkallë e tillë nuk do të shihej në një luftë normale. Kjo duket si shënjestrim i qëllimshëm".
- "Gjëja e parë që më shkoi ndërmend kur hyra në Gaza ishte se kishte shpërthyer ferri"
Ekiz thotë se ka parë shpesh sulme dhe bombardime izraelite në Gaza. "Isha shumë e frikësuar në ditët e para, por pastaj thashë 'Jam këtu, do të bëj çmos'. Një natë, një bombë ra aq afër sa mendova se ndërtesa po dridhej. Doli që po dridhesha unë dhe atëherë e kuptova se këta njerëz e përjetojnë këtë çdo natë. Gaza është shkatërruar plotësisht. Asnjë ndërtesë nuk ka mbetur në këmbë, ndërtesat e bombarduara bombardohen përsëri, shndërrohen pothuajse në pluhur", thotë mjekja duke shtuar:
"Në Gaza, gjëja e parë që më shkoi ndërmend kur hyra ishte se kishte shpërthyer ferri. Isha brenda në një film të vërtetë horror. Skena që pashë gjatë ditës më dukej si një film horror, por ky nuk ishte film, ishte e vërtetë. Isha shumë e mërzitur dhe në të njëjtën kohë e frikësuar. Dua të shkoj përsëri në Gaza. Nuk ishte e mundur këtë vit, por planifikoj të shkoj sërish pas vitit të ri. Kam ndërmend të tregoj historinë e atyre që kam parë, të shkruaj dhe të njoftoj për ta. Është shumë e rëndësishme të tregoj për ato që kam dëshmuar dhe të mos lejoj që të harrohet".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
