Mjekët holandezë palosin në shesh 1.400 palë këpucë të bardha në nder të kolegëve të tyre të vrarë në Gaza
Duke lexuar me zë të lartë emrat e tyre, pjesëmarrësit përkujtuan qindra punonjësit e kujdesit shëndetësor që humbën jetën në sulmet izraelite
Rotterdam
Qindra protestues janë tubuar në Rotterdam për një përkujtim prekës ku 1.400 palë këpucë të bardha u vendosën në një shesh publik për të nderuar punonjësit e kujdesit shëndetësor të vrarë në Rripin e Gazës nga sulmet e vazhdueshme izraelite, raporton Anadolu.
Ngjarja e organizuar nga Fondacioni Mjekët për Gazën, mblodhi në shesh shumë mjekë, infermierë, studentë të mjekësisë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut nga e gjithë Holanda dhe më gjerë.
Duke lexuar me zë të lartë emrat e tyre, pjesëmarrësit përkujtuan qindra punonjësit e kujdesit shëndetësor që humbën jetën në sulmet izraelite.
Homazhi i fuqishëm vizual jo vetëm që bëri thirrje për drejtësi, por gjithashtu shërbeu edhe si një kujtesë për ndikimin shkatërrues të sulmeve izraelite ndaj profesionistëve mjekësor në Gaza.
Pjesëmarrësit gjithashtu theksuan se vrasja e punonjësve të kujdesit shëndetësor, pengimi i shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe bombardimi i spitaleve janë shkelje e ligjit ndërkombëtar.
Të paktën 52.800 palestinezë janë vrarë në gjenocidin izraelit në Gaza që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime kundër njerëzimit të kryera në Gaza. Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë që rrjedh nga veprimet e tij në territorin e rrethuar palestinez.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
