Bota

"Mjekët pa Kufij": Qindra mijëra njerëz në rrezik nëse OJQ-të ndërkombëtare humbasin aksesin në Gaza

"Njerëzit kanë nevojë për më shumë shërbime", thotë grupi i ndihmës, duke theksuar situatën kritike në rajon

Melike Pala  | 01.01.2026 - Përdıtësım : 01.01.2026
"Mjekët pa Kufij": Qindra mijëra njerëz në rrezik nëse OJQ-të ndërkombëtare humbasin aksesin në Gaza

Bruksel

Organizata "Mjekët pa Kufij" (MSF) paralajmëroi sot se qindra mijëra palestinezë mund të humbasin aksesin në kujdesin thelbësor mjekësor nëse organizatat ndërkombëtare joqeveritare (OJQ-të) pezullohen nga veprimtaria në Gaza dhe Bregun Perëndimor sipas kufizimeve të reja të Izraelit, transmeton Anadolu.

Grupi i ndihmës tha se ende është në pritje të rinovimit të regjistrimit të tij sipas kërkesave të reja izraelite, përfshirë dorëzimin e listave të stafit. "Njerëzit kanë nevojë për më shumë shërbime, jo më pak", tha MSF në platformën amerikane të mediave sociale X, duke theksuar situatën kritike në rajon.

"Qindra mijëra palestinezë do të privohen nga kujdesi thelbësor", shtoi ajo. MSF nënvizoi rolin e saj jetësor në sektorin e shëndetësisë në Gaza, duke mbështetur një në pesë shtretër spitalorë dhe duke lehtësuar një në tre lindje.

Vetëm në vitin 2025, organizata ofroi rreth 800 mijë konsulta ambulatore, trajtoi mbi 100 mijë raste traumash, kreu 22.700 operacione, asistoi në mbi 10 mijë lindje dhe shpërndau gati 700 milionë litra ujë.

Pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi që hyri në fuqi në tetor, Izraeli vazhdon t'i mbajë kalimet kufitare të Gazës kryesisht të mbyllura, duke penguar hyrjen e shtëpive të lëvizshme dhe materialeve të rindërtimit.

Zyrtarët palestinezë thonë se të paktën 414 persona janë vrarë në Gaza që nga armëpushimi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın